Transmetuar më 07-02-2023, 11:31

Tiranë- Policia e Tiranës ka zbardhur detajet nga ngjarja e ndodhur një natë më parë në Astir ku një çift bashkëshortësh mbetën të lënduar pasi ashensori në pallatin e tyre ra nga kati i 5 në katin zero.

Burime bëjnë me dije se shkak i rënies së ashensorit është bërë pesha më shumë nga sa ishte e lejuar, pasi brenda në ashensor lejohej hyrja e vetëm 4 personave ndërkohë që përveç çiftit Sinan dhe Selvie Kazani kanë qenë edhe 3 persona të tjerë të së njëjtës familje.

3 anëtarët e tjerë të familjes kanë pasur lëndime të lehta ndërsa çifti i bashkëshortëve ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.

Menjëherë pas ngjarjes, ashensorit i janë vënë shiritat e verdhë nga Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyerjes së Tregut.

Policia informon se ‘më datë 06.02.2023, në Unazë të Re, në rrugën “Aleksandri i Madh”, ka pësuar defekt ashensori i një pallati dhe ka rënë nga kati i pestë në katin zero. Në të ndodheshin shtetasi S. K., 56 vjeç, dhe shtetasja S. K., 55 vjeçe (çift bashkëshortësh). Në ndihmë të tyre kanë vajtur shërbimet e Policisë, shërbimet e zjarrfikëses dhe të ambulancës.

Si pasojë, shtetasit e lartpërmendur janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes’.