Transmetuar më 07-02-2023, 10:30

Javier Zanetti, zv.president i Interit, ishte mysafir i DAZN një ditë pas derbit të fituar nga zikaltërit: “Kam pasur një të hënë ndryshe, sepse fitimi i një derbi ka shije të veçantë, mbi të gjitha sepse e fituam me meritë”.

Interi është shumë i fortë në disa ndeshje, në të tjera humbet…

Sigurisht që mund të kishte disa pikë më shumë, por është një rrugë që skuadra po e ndjek vazhdimisht. Ka një rënie kur ka kaq shumë ndeshje të ngjeshura. Unë shoh një ekip që është protagonist, që di të reagojë në vështirësi dhe luan gjithmonë futboll të mirë. Që nga viti i parë i Antonio Contes, Interi ka pasur gjithmonë vazhdimësi në katër sezonet e fundit. Jam i befasuar nga kritikat e ekzagjeruara ndaj një ekipi që po i bën gjërat në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne jemi të vetëdijshëm se mund të përmirësohemi, por Napoli po bën diçka të jashtëzakonshme këtë kampionat.

A po mendoni për Spallettin?

Ka shumë prej tij te ky Napoli. Ai bëri një punë të shkëlqyer me Interin, lë gjurmë në skuadrat që drejton.

A ia vlen një kampionat po ta përfundosh në vendin e dytë?

Ne duhet të bëjmë më të mirën që mundemi nga këtu deri në fund. Nga këtu është Liga e Kampionëve, gjysmëfinalja e Kupës së Italisë me Juventusin… Ne do të duhet të bëjmë më të mirën.

Kush është simboli i Interit këtë sezon?

Do t’i kërkoj Darmianit që fanellën ta vendosë në muzeun tim, sepse është një lojtar i heshtur në shërbim të skuadrës. Një djalë profesionist, që jep gjithmonë maksimumin dhe është serioz. Ai bën diferencën në çdo grup.

Çfarë e shkaktoi hendekun mes Napolit dhe Interit?

Vazhdimësia dhe për këtë ka keqardhje që kemi lënë disa pikë rrugës. Ka shumë ndeshje, kampionati është konkurrues… Napoli nuk ka bërë asnjë gabim, mposhtja e tij ishte shumë e vështirë.

E prisnit që Milani të ishte kaq i kujdesshëm në derbi?

Kisha dëgjuar diçka para ndeshjes, më pas ndodhi ndryshimi në lojë. Megjithatë, dua të them se duhen llogaritur edhe meritat e Interit, i cili dëshironte ta fitonte ndeshjen që në minutën e parë. Milani është një ekip që duhet të respektohet gjithmonë, pastaj janë momentet… I njoh mirë Maldinin dhe Piolin, ata kanë personalitetin që të dalin prej këtij ngërçi.

A mund të jetë Lautaro kapiteni i vërtetë i Interit?

Jam shumë i lumtur me udhëtimin që ka bërë tek Interi dhe performancën gjithnjë në rritje që ka pasur. Tani është konfirmuar edhe tek Argjentina, ndërsa për Interin e tregon sa herë që del në fushë se është i rëndësishëm. Pastaj është një njeri bujar, nuk dëshiron të humbasë. Kur tha se derbi jetohet si në Argjentinë, kishte të drejtë, sepse ambienti është shumë i nxehtë.

A mund të ishte menaxhuar më mirë situata e Skriniar?

Nuk e di, por është e thjeshtë: ne propozuam rinovimin brenda mundësive tona, ai vlerësoi dhe tha jo. Kjo është në rregull dhe vendimi i tij duhet pranuar. Më e rëndësishmja është përgjigja nga mjedisi, i cili e kuptoi se duhej ta vendoste lojtarin në një pozicion për të performuar më të mirën e tij. Ajo që ka rëndësi është e mira e klubit dhe ai ishte i pari që e kuptoi këtë. Interi do të vazhdojë, Skriniar do të veshë një fanellë tjetër nga korriku dhe ne i urojmë më të mirën. Për ne është është thelbësore të luajë si në derbi deri në fund të sezonit.

Pse ia hoqët shiritin e kapitenit?

Kjo temë lidhet mbi të gjitha me të ardhmen, Marotta ishte i qartë. Unë e kuptoj gjithçka, të gjithë diskutuam dhe ramë dakord që ishte zgjedhja më e mirë, të cilën Skriniar e kuptoi i pari. Interi po ecën përpara, le të shohim të ardhmen. Së fundi, kapiten ishte Lautaro, i cili është e tashmja dhe e ardhmja.

Kush është lojtari më interesant në Serie A?

Duke menduar mbi të gjitha Napolin, them Osimhen. Ai po tregohet se është një sulmues i madh, i rëndësishëm për ekipin e tij.

Çfarë kujtimesh keni nga Kupa e Botës?

Se ishte e pamundur të qëndroja esëll (qesh). E kam jetuar me ndjenja të mëdha si argjentinas. Të jetuarit me familjen më lejoi të festoja çdo moment. Pas finales u ndjeva i lumtur, sepse e kishim pritur këtë sukses për kaq shumë kohë. Ata që e duan futbollin prisnin që Messi të fitonte Kupën e Botës, e dëgjova nga tifozët në Katar.

Messi apo Maradona?

Diego kishte karizëm të pabesueshme, përtej asaj që bëri në fushë. Messi është i dashur, sepse kështu e tregon veten… Si argjentinas, jam i kënaqur që kam pasur Diegon, i cili do të mbetet unik.

A ishte e vërtetë historia Messi-Inter?

Unë u befasova kur ai i tha lamtumirë Barcelonës, por realisht ne nuk mund të konkurrojmë me PSG-në apo klubet e tjera të Premier League. Për shkak të marrëdhënieve që kemi, ne folëm kur ekzistonte kjo mundësi.

Si e shihni Mourinhon në Romë?

Ai gjithmonë arrin t’u japë diçka të rëndësishme lojtarëve që stërvit, i inkurajon ata për të mirën e tyre.

Zaniolo do të largohet nga Serie A…

Më vjen keq, nuk është mirë që ai të largohet nga Italia, por janë zgjedhje për t’u respektuar, edhe sepse nuk e di se çfarë ka ndodhur në nivel klubi me të. Nuk ka qetësi rreth tij, mendoj se është zgjedhja e duhur që të largohet.