Transmetuar më 07-02-2023, 10:09

LEZHË- Luan Zabata, 41 vjeç, është vendosur në prangat e Policisë së Lezhës, pasi u rrezikoi jetën efektivëve të Policisë së Shteti. Fillimisht ai u ndalua nga patrulla e Policisë për kontroll, pasi u tërhoqi vëmendjen efektivëve me sjelljen e dyshimtë. Pasi iu bë testi i alkoolit 41-vjeçari rezultoi në gjendje të dehur, në masën 1.395 mg/l. Kështu që efektivët tentuan që t’i vendosnin prangat në kuadër të operacionit "Neutralizimi", por Zabata kundërshtoi dhe nxorri një armë zjarri që e mbante me vete duke iu drejtuar efektivëve, ndërsa brenda saj kishte dhe plumbin gati në fole për të qëlluar. Megjithatë fatmirësisht u neutralizua në kohë nga efektivët, duke iu vendosur prangat.

Policia informon se ‘shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në kuadër të kontrolleve të shtuara gjatë natës, në të gjitha akset e qarkut, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, të mbështetura dhe nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Neutralizimi".

Në kuadër të këtij operacioni, në Shëngjin, në mesnatë, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll, automjetin që drejtohej nga shtetasi L. Z., i cili ka krijuar dyshime tek punonjësit e Policisë, nga përgjigjet dhe sjellja e tij. Për këtë shkak, është informuar se do t’i kryheshin kontrolle fizike dhe kontrolle në automjet, si dhe testi i alkoolit. Në atë moment, ky shtetas ka kundërshtuar kryerjen e veprimeve procedurale duke nxjerrë një armë zjarri që mbante me vete dhe ua ka drejtuar punonjësve të Policisë, me qëllim që të largohej dhe të shmangte arrestimin.

Ndërhyrja e menjëhershme dhe profesionale e shërbimeve të Policisë, ka bërë të mundur neutralizimin e menjëhershëm të shtetasit L. Z., i cili pas kryerjes së testit të alkoolit, ka rezultuar në gjendje të dehur, në masën 1.395 mg/l. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë me fishekë në fole, e gatshme për qitje, që mbahej pa leje nga ky shtetas.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin L. Z., 41 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.