Transmetuar më 07-02-2023, 08:15

Numri i viktimave të tërmeteve që tronditën Turqinë dhe Sirinë, po vazhdoj të rritet frikshëm. Deri tani raportohen rreth 5 mijë njerëz të vdekur. Janë mbi 20 mijë të plagosur.

Ndërsa po kryhen kërkime dëshpëruese për të gjetur të gjallë të mbijetuar nga tërmetet që nisën mëngjesin e djeshëm ora 02.17.

Ekipet e shpëtimit po përpiqen për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nën rrënoja pasi mijëra ndërtesa u shembën në të dy vendet.

Të paktën 2,660 persona nga 65 vende janë dërguar për të ndihmuar në operacionin e kërkim-shpëtimit.

Ata iu bashkuan 13 740 shpëtimtarëve turq, që janë caktuar për të punuar në zonën e fatkeqësisë. Ata po përdorin 629 vinça dhe 360 ​​automjete.

Një urë ajrore është krijuar dhe 146 fluturime ndihme janë bërë tashmë.

Janë dorëzuar gjithsej 300,000 batanije dhe 41,504 tenda familjare, së bashku me ngrohje dhe komplete kuzhine.

Më shumë se 3 381 njerëz u vranë vetëm në Turqi pas tërmetit të parë dhe më shumë se 20 426 u plagosën.

Më shumë se 1,400 njerëz raportohet të kenë vdekur në Siri.

Por ka të ngjarë që numri të rritet më tej pasi në më shumë vende janë duke u bërë kërkime nën mot të acartë dhe pasgoditje të vazhdueshme.