Transmetuar më 06-02-2023, 14:30

PËRMBLEDHJE, ÇFARË DUHET TË DINI

Një operacion shpëtimi është duke u zhvilluar në pjesën më të madhe të Turqisë jugore dhe Sirisë veriore pas një serie tërmetesh katastrodike që ka vrarë më shumë se 2 300 njerëz

Tërmeti me magnitudë 7.8 goditi afër Gaziantep në orët e para të së hënës, 02.17 ora shqiptare, ndërsa njerëzit ishin në gjumë.

Një lëkundje e re me magnitudë 7.7 goditi rreth orës 13:30 me kohën lokale (11:30 ora jonë), për të cilën zyrtarët thanë se "nuk ishte një pasgoditje", por një tërmet tjetër i fuqishëm.

Media shtetërore turke raporton se më shumë se 1,541 njerëz u vranë vetëm në Turqi pas tërmetit të parë, me më shumë se 8.500 të plagosur.

Autoritetet siriane raportojnë 783 të vdekur dhe më shumë se 2 000 të plagosur, sipas agjencisë së lajmeve AFP që citon noa.al.

Ekipet e shpëtimit po garojnë për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nën rrënoja pasi qindra ndërtesa u shembën në të dy vendet

Udhëheqësit botërorë janë zotuar të dërgojnë ndihma pasi Turqia bëri një apel ndërkombëtar për ndihmë

Miliona njerëz në Turqi, Siri, Liban, Qipro dhe Izrael e ndjenë tërmetin

TURQI, 6 shkurt 2023 / NOA.al / 

Të dhënat e fundit për viktimat

Të paktën 2 300 njerëz kanë vdekur pas dy tërmeteve që goditën Turqinë dhe Sirinë. Më shumë se 10 mijë të tjerë kanë mbetur të plagosur. Ndërsa nuk dihet qartë se sa njerëz janë të zhdukur nën rrënojat e mbi 4 mijë ndërtesave që janë shkatërruar.

Numri i konfirmuar i vdekjeve nga tërmeti i mëngjesit të sotëm në Turqi është rritur në 1 541, tha kreu i Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të vendit. Raportohen edhe 8 533 të plagosur.

Ndërsa afro 800 të tjerë vdiqën në Siri, kryesisht në Alepo. Disa dhjetëra të tjerë kanë vdekur në zonën që kontrollohet nga rebelët në kufirin turko-sirian.

Numri aktual i të vdekurve pritet të rritet ndërsa përpjekjet për të shpëtuar njerëzit nën rrënoja, po vazhdojnë.

Epiqendra e tërmetit të mëngjesit, 7.8 ballë, ishte në lagjen Pazarcık të Kahramanmaraş afër Gaziantep dhe me thellësi 7 km nën tokë. Në orën 11.24, ra një tërmet tjetër 7.7, epiqendra e të cilit ishte rrethi Elbistan i Kahramanmaraş.

Ende po dalin informacione për ndikimin e tërmetit të dytë që goditi provincën Kahramanmaras të Turqisë vetëm disa orë pasi i pari goditi pranë qytetit të Gaziantep, rreth 80 milje në jug. /noa.al