Transmetuar më 06-02-2023, 14:07

Futbolli anglez është tronditur nga akuzat e Premier League ndaj Manchester City. Klubi është referuar në një gjykatë të pavarur për kryerjen e shkeljeve të shumta financiare midis viteve 2009 dhe 2018. Hetimi filloi pak më shumë se 4 vite më pare, pasi “Der Spiegel” publikoi dokumentet e “Football Leaks”.

Në periudhën e analizuar, Manchester City fitoi 3 tituj të Premier League, një “FA Cup” dhe 3 “Carabao Cup”. Nëse shkeljet do të konfirmoheshin, klubi do të rrezikonte sanksione të konsiderueshme sipas disa faqeve britanike si “Times” apo “Daily Mail”.

Këto penalitete nënkuptojnë zbritjen e pikëve apo ndalimin e kryerjes së merkatos për një periudhë të caktuar kohore, si dhe vendosjen e limiteve të shpenzimeve. Nuk mund të përjashtohen sanksione të tjera si anulimi i titujve të fituar apo, në rastin më të rëndë, përjashtimi nga kampionati i Premier League.

Manchester City, gjithashtu ishte sanksionuar në vitin 2020 për shkelje të rregullave të “Fair Play Financiar” nga viti 2012 deri më 2016, me dispozitën që lidhet me përjashtimin nga Kupat e Evropës. E gjithë kjo u revokua nga Gjykata Evropiane e Arbitrazhit.

Më poshtë është deklarata e lëshuar nga klubi nga “Etihad”: "Manchester City FC është befasuar nga publikimi i këtyre shkeljeve të pretenduara të rregullave të Premier League, veçanërisht duke  pasur parasysh angazhimin e gjerë dhe sasinë e madhe të materialeve të detajuara, me të cilat është siguruar EPL.

Klubi mirëpret shqyrtimin e kësaj lënde nga një komision i pavarur, për të hetuar në mënyrë të paanshme masën gjithëpërfshirëse të provave të pakundërshtueshme që ekzistojnë në mbështetje të pozitës së tij. Si e tillë, ne mezi presim që kjo çështje të pushohet një herë e përgjithmonë”.