Transmetuar më 06-02-2023, 13:56

Pasi shënoi golin e tij të parë konkurrues për Al Nassr, Cristiano Ronaldo ka filluar të planifikojë të ardhmen e tij. Për kampionin portugez, i cili dje mbushi 38 vjeç, tërheqja nga futbolli po afrohet gjithnjë e më shumë.

Sipas asaj që raporton "The Mirror", CR7 duhet të luajë edhe dy sezone të tjera me fanellën e Al Nassr. Në atë moment, pasi të ketë mbushur 40 vjeç, ai mund të vendosë ‘t’i varë këpucët në gozhdë".

Në fund të fundit, ai e kishte parashikuar këtë edhe gjatë intervistës me Piers Morgan, e cila solli "divorcin" me Manchester United: "Mendoj se 40 vjeç është mosha e duhur për t’u tërhequr nga futbolli, por ende nuk e di se çfarë më pret në të ardhmen.

Jeta është kaq dinamike, nuk e di se çfarë do të ndodhë. Do të doja të luaja edhe 2-3 vite të tjera". "Pensionim" në Arabi apo në Evropë? Muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për të kuptuar të menduarit e CR7.

Pesë herë fituesi i "Topit të Artë", me gjasë do ta marrë në konsideratë rikthimin e bujshëm te Sporting Lisbona, për t’u tërhequr aty ku e nisi karrierën brilante si profesionist. Një dëshirë e madhe kjo edhe e nënës së tij.