Transmetuar më 06-02-2023, 11:52

Tiranë- Publikohet foto e gruas së akuzuar si drejtuse e një grupi të trafikut të drogës në Tiranë.

Gruaja në foto është Brikena Frakulli, 40 vjeç, e arrestuar nga Policia e Tiranës si drejtuese e një grupi që merrej me shpërndarje të lëndëve narkotike në kryeqytet. Sipas hetimeve, Frakulli siguronte lëndën narkotike në sasi të mëdha te një person, identiteti i të cilit për shkak të hetimeve nuk është bërë i njohur nga autoritetet.

Më pas në drejtimin e saj, kjo sasi ndahej në doza të vogla dhe shpërndahej nga anëtarë të grupit kriminal në disa zona të Tiranës, si Ali Demi, ish-Blloku, por jo vetëm. Në operacionin e finalizuar dy ditë më parë, ku u arrestuan edhe 3 bashkëpunëtorë të Brikena Frakullit, u gjetën 6 kilogramë drogë, kokainë dhe heroinë, si dhe u sekuestruan mbi 35 mijë Euro dhe sasi të tjera monetare që dyshohet se ishin produkt i shpërndarjes së lëndës narkotike.

Gjatë operacionit të koduar ‘Kutia e Pandorës’ janë sekuestruar 6 kilogramë heroinë e kokainë. Kjo nuk është hera e parë që përfundon në pranga për të njëjtën akuzë. Edhe në vitin 2015 ajo është arrestuar si pjesë e një grupi kriminal në kuadër të operacionit "Epilog 2", së bashku me partnerin e saj.