Transmetuar më 06-02-2023, 10:18

Simone Inzaghi gëzon triumfin e tij në derbi. "I urova të gjithë lojtarët, – tha trajneri i Interit për Dazn. – Ata ishin të përqendruar, të vëmendshëm, e dominuam lojën. Të fitosh dy derbi në 20 ditë është një kënaqësi e madhe, tani le të shohim përpara me besim. Le të provojmë për të rikuperuar sa më parë Lukakun dhe Brozovicin, të cilët na kanë munguar prej kohësh”.

Protagonist i madh, vendimtar me golin e tij, ishte Lautaro Martinez: "Që nga janari i vitit të kaluar ka luajtur në nivele të bujshme, ka pasur paraqitje të vazhdueshme pozitive, pavarësisht se kam mundur t’i japë pak pushim. E meriton, por është reduktuese të flasësh vetëm për atë.

Ishte kënaqësi t’i shihja djemtë në fushë, e meta e vetme ishte mbajtja e ndeshjes në baraspeshë deri në fund. Mund të ishim më të saktë në pasimin e fundit dhe në finalizim, por nuk ka asgjë tjetër për të thënë".

3-5-2 i Milanit nuk e shqetësoi trajnerin e zikaltërve: "Ndryshimet e kuqezinjve ishin përfolur prej një kohe, por unë u përqendrova tek skema ime. Ne vinim nga një lojë e shkëlqyer kundër Atalantës (në Kupën e Italisë), thjesht i përsërita ato koncepte”.

Për Inzaghin nuk ka vend për keqardhje: "Në fillim të vitit bëmë disa gabime dhe gjithashtu patëm mungesa shumë të rëndësishme. Nuk mund të luash pa dy titullarë si Lukaku dhe Brozovic për katër muaj, si ne, por ia dolëm. Jemi ende në Champions League, ku do të përballemi së shpejti me Bayern Munich.

Eliminuam Barcelonën, arritëm në gjysmëfinale të Kupës së Italisë dhe fituam Superkupën. Pikët në Serie A mund të ishin më shumë, por tani duhet të shohim përpara. Napoli? Le të shikojmë veten. Duhet të jemi të fokusuar në atë që po bëjmë, sepse më 1 tetor, pas disfatës ndaj Romës, ishim në vendin e nëntë në renditje dhe prej andej kemi marrë 10 fitore në 13 ndeshje”.

Në konferencën për shtyp, ai foli më pas për Lukakun: "A mund të luajë titullar? Po, përndryshe nuk do të luante kundër Atalantës, të martën. Nuk i kam dhënë askujt minuta, stola apo tribuna kot. Kushdo që del në fushë e bën këtë për të dhënë 100 për qind. Sonte, Dzeko dhe Lautaro ishin shumë të mirë, ashtu si edhe Romelu. Shpirti i të gjithëve ishte fantastik".

Së fundi, një koment për rastin Skriniar dhe qëndrimin ndaj tij të “Curva Nord”: "Nuk kisha dyshime se tifozët do të na jepnin një dorë për ta kapërcyer shpejt çështjen, sepse ‘Curva Nord’ është gjithmonë me ne. I gjithë stadiumi sonte ishte një forcë e madhe lëvizëse për skuadrën, tifozët na mbështetën nga fillimi deri në fund. Gjatë gjithë karrierës sime tek Interi ata kanë qenë shembullorë”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd