Transmetuar më 06-02-2023, 09:29

Goli i parë zyrtar i Cristiano Ronaldos me fanellën e Al Nassr mbërriti në ndeshjen e radhës të Ligës Profesionale Saudite. Portugezi 38-vjeçar shënoi nga penalltia në minutën e 93-të për të shmangur humbjen kundër Al-Fateh.

Skuadra e Rudi Garcia barazoi 2-2, duke mbetur e para në renditje me 34 pikë, së bashku me Al Shabab dhe Al Ittihad. Megjithatë, skuadra e Ronaldos ka një ndeshje më shumë për të luajtur se Al Shabab. Ndërkohë, disa zbulime të rëndësishme kanë rrjedhur nga brenda dhomës së zhveshjes së Al Nassr…

Mesfushori 35-vjeçar brazilian dhe bashkëlojtari i Cristiano Ronaldos, Luiz Gustavo, ka zbuluar se prania e portugezit ka ndryshuar disa gjëra në angazhimin e të tjerëve në ndeshje. Ish-lojtari i Bayern Munich, pas barazimit 2-2 me Al Fateh, zbuloi:

"Prania e Cristiano Ronaldos iu jep rivalëve më shumë nxitje për të mposhtur liderët e kampionatit. Prania e tij i bën ndeshjet tona më të vështira. Skuadrat kundërshtare përpiqen të bëjnë më të mirën kundër tij.

Cristiano i motivon të gjithë. Në të njëjtën kohë, prania e tij garanton një avantazh të madh për ekipin tonë. Ju mund të mësoni prej tij çdo ditë, duke pasur parasysh cilësitë e mëdha teknike dhe fizike që zotëron”.

Luiz Gustavo përfundon: "Cristiano Ronaldo është krijuar për sfida, gjithmonë ia del mbanë. Ai tashmë ka shënuar golin e tij të parë, kështu është çliruar nga presioni".