Transmetuar më 06-02-2023, 09:09

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet për jetë e humbura nga tërmeti shkatërrues, që goditet këtë të hënë Turqinë dhe Sirinë. Përmes një postimi të bërë, Begaj deklaron se shqiptarët do t’i qëndrojnë pranë njerëzve që janë prekur nga kjo tragjedi.

“I pikëlluar thellësisht nga tërmeti shkatërrues që goditi Turkiye dhe Sirinë këtë mëngjes. Unë dhe shqiptarët qëndrojmë pranë njerëzve të prekur dhe familjeve të tyre, që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi të tmerrshme, duke shprehur ngushëllimet, mendimet dhe lutjet tona të sinqerta”, shkruan Begaj.

Turqia është goditur nga një tërmet shkatërrues. Tërmeti i fuqishëm 7.8 ballë ka goditur kufirin mes Turqisë dhe Sirisë duke shkaktuar mbi 500 viktima dhe mbi 1000 të plagosur. Lëkundja tronditi banorët rreth orës 04:17 me epiqendër pranë qytetit të Gaziantep. Tërmeti ndodhi 23 kilometra (14.2 milje) në lindje të Nurdagi, provincën Gaziantep, në një thellësi prej 24.1 kilometrash (14.9 milje), tha Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS). Nurdagi ndodhet përgjatë kufirit Turqi-Siri dhe tërmeti u ndje në disa vende të rajonit, duke përfshirë Sirinë dhe Libanin. Ndërtesat u shembën në Kahramanmaraş, Gaziantep, Diyarbakır, Malatya, Şanlıurfa, Adıyaman, Hatay, Adana dhe Osmaniye u shkatërruan. Tashmë ka nisur një operacion kërkim-shpëtimi. Të plagosurit, të cilët janë nxjerrë nga rrënojat e godinave, janë dërguar në spital.