Transmetuar më 06-02-2023, 08:22

Është rritur numri i viktimave si pasojë e tërmetit shkatërrues në zonën juglindore të Turqisë, që ka prekur edhe veriun e Sirisë.

Tërmeti 7.8 ballë dhe 78 tërmete të tjera më të vogla kanë përkuar me një stuhi dimërore që çoi në ndërprerje të konsiderueshme të fluturimeve. Më shumë se 235 fluturime të planifikuara për të dielën dhe të hënën u anuluan për shkak të motit të keq të pritshëm.

Deri më tani kanë humbur jetën më shumë se 500 persona, dhe shumë të tjerë kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.

Në një raport të lëshuar rreth 30 minuta pas tërmetit, ekspertët në shërbimin sizmologjik amerikan USGS thanë se ka një shans 34 për qind për 100 deri në 1000 viktima dhe një shans 31 për qind për midis 1000 dhe 10,000 viktima.

Në Turqi zyrtarisht raportohet për 284 të vdekur dhe 2 mijë e 323 njerëz të plagosur. Mbi 1710 ndërtesa u shkatërruan. Një spital në Iskenderun, një qytet në provincën Hatay në Turqi, u shkatërrua nga tërmeti, me punonjës të kujdesit shëndetësor dhe pacientë brenda, tha zëvendëspresidenti Fuat Oktay. Në Siri njoftohet për 237 të vdekur dhe 639 të plagosur. Në zonat e kontrolluara nga rebelët njoftohet për 50 të vdekur dhe qindra të plagosur.

Tërmeti ishte më i fuqishmi i shekullit të fundit, duke kaluar edhe atë të vitit 1999 në Marmara, 7.4 Rihter, ndërsa i sotmi ishte 7.8 Rihter.

Turqia ka lëshuar alarmin për ndihmë urgjente ndërkombëtare, ndërsa e para e cila është treguar e gatshme ka qenë SHBA-ja.

Presidenti, Recep Tayip Erdogan ka reaguar duke u shprehur se vendi do ta kalojë këtë fatkeqësi me minimumin e dëmeve.