Transmetuar më 05-02-2023, 22:31

Ankara – Tensione mes Turqisë dhe disa vendeve perëndimore. Presidenti, Recep Tayyip Erdogan, ka kërcënuar ditën e sotme misionet perëndimore për lëshimin e paralajmërimeve të sigurisë dhe mbylljen e përkohshme të konsullatave në Turqi.

Ankaraja thirri ambasadorët e nëntë vendeve për të kritikuar vendimet e tyre për mbylljen e përkohshme të misioneve diplomatike dhe lëshimin e alarmeve të sigurisë në shtetin turk, pas arrestimit të 15 personave që dyshohet se ishin pjesë e ISIS, citon noa.al, agjencinë e lajmeve Reuters.

Zyrtarët turq thanë se vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë, nuk kishin ndarë informacione me qeverinë turke për të mbështetur pretendimet e tyre për kërcënim të sigurisë.

“Ditën tjetër, ministria jonë e Jashtme i thirri të gjithë ata dhe u dha ultimatumin e nevojshëm, u tha atyre ‘Do ta paguani shtrenjtë këtë nëse vazhdoni kështu’”, tha Erdogani gjatë një takimi me të rinjtë që ishte regjistruar dhe u transmetua të dielën.

Krahas mbylljeve, disa shtete perëndimore paralajmëruan qytetarët për një rrezik të shtuar të sulmeve ndaj misioneve diplomatike dhe objekteve jomyslimane të kultit në Turqi, pas një sërë protestash të ekstremit të djathtë në Evropë në javët e fundit që përfshinin disa incidente të djegies së kopjeve të Librit të shenjtë mysliman, Kuranit.

Turqia pezulloi negociatat për pranimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO muajin e kaluar pas një proteste në Stokholm gjatë së cilës u dogj një kopje e Kuranit.