Transmetuar më 05-02-2023, 14:15

Ish drejtorja e koncesioneve dhe ish shefe e kabinetit të zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, është nxjerrë nga burgu gjatë orëve të para të ditës së sotme duke u dërguar në urgjencën spitalore.

Alda Klosi është dërguar në QSUT, pasi është ankuar për luhatje të rënda tensioni duke arritur në rreth 20 në të lartin. Aktualisht ajo ndodhet ende atje.

Raportohet se Alda Klosi nuk u dërgua në spitalin e burgut, por në QSUT. Ajo është ende nën masë paraprake sigurie burgu nga policia ndërsa pritet që gjykata të vlerësojë nëse vendimi do të zbatohet në vijim.

Alda Klosi u arrestua një ditë më parë pas dëshmisë së dhënë nga pastruesja Rozeta Dobi, e cila akuzohet se vodhi qindra mijë euro dhe dollarë në shtëpinë e saj.

Alda Klosi, 41-vjeçe, akuzohet për tre vepra penale, “Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.