Transmetuar më 05-02-2023, 14:12

Presidenti rus, Vladimir Putin nuk do ta vrasë homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Këtë premtim Putin e ka bërë në një komunikim me diplomat dhe ish zyrtar të lartë izraelit dhe u bë publik sot në mediat ndërkombëtare.

Ish-kryeministri izraelit, Naftali Bennett, ka thënë se ka marrë këtë premtim nga Putin.

Bennett ka shërbyer për periudhë të shkurtër si ndërmjetësues mes dy vendeve. Ai madje ka qenë një prej liderëve të paktë që kanë takuar Putinin, pak javë pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Në një intervistë që ka zgjatur për pesë orë, Bennett ka prekur shumë tema, dhe më pas ka thënë se i ka kërkuar Putinit të tregojë nëse synon ta vrasë Zelenskyn.

“E kam pyetur ‘si është puna më të? A jeni duke planifikuar vrasjen e Zelenskyt?’

Ai më ka thënë se ‘nuk do ta vras Zelenskyn’. Më pas i kam thënë që të më japë fjalën se nuk do ta vrasë Zelenskyn. Ai ka thënë se ‘nuk do ta vras Zelenskyn’”.

Bennett më pas ka thënë se e ka telefonuar Zelenskyn për ta informuar rreth premtimit të Putinit.

“Më dëgjo, dola prej takimit, ai nuk do të të vrasë. Zelenski më pyeti ‘a jeni i sigurt?’ I thashë, rri i qetë se ai nuk do ta vrasë”.

Bennett ka thënë së gjatë ndërmjetësimit të tij, Putin ka hequr dorë nga kërkesa për çarmatosje të Ukrainës dhe Zelensky ka hequr dorë nga anëtarësimi i vendit të tij në NATO.

Bennet, një lider kryesisht i patestuar – meqë ka qëndruar në pushtet për gjashtë muaj – e ka zhytur veten në diplomaci ndërkombëtare pak pas nisjes së luftës, për shkak të lidhjeve që ka Izraeli me Rusinë dhe Ukrainën.

Izraeli ka lidhje të mira me Kremlinin dhe i konsideron ato si strategjike kur ka kërcënime nga Irani, mirëpo po ashtu mban anën e kombeve perëndimore dhe tenton të tregojë mbështetje edhe për Ukrainën.