Transmetuar më 05-02-2023, 11:44

Tiranë- Banorët e Bërxullës kanë dalë sot sërish në protestë. Sipas tyre, qeveria nuk ka plotësuar kërkesat që kanë për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar.

Banorët u përballën me policinë kur ata tentuan të bllokojnë rrugën ekzistuese.

Një nga banorët paralajmëroi se pronat e tyre “do t’i marrin vetëm të vdekur”, ndërsa shtoi se ajo rrugë do të bëhet “lapidar para se të ndërtohet”.

Një prej të moshuarave, banesa e së cilës preket nga aksi rrugor Thumanë-Kashar, bllokoi për pak minuta rrugën e Rinasit.

Ajo kaloi bllokadën e krijuar nga Policia e për pasojë, forcat blu tentuan që ta largonin.

Në mbrojtje të së moshuarës, doli një vajzë e cila kërkoi që të mos ushtrohej dhunë ndaj saj.

"Mos guxo ta prekësh nënën me dorë", – thotë vajza.

Mësohet se banorët nuk janë dakord me skemën e shpronësimit të pronave të tyre që preken nga projekti i rrugës.

Sipas tyre çmimi i tregut për pronat e tyre është rreth 50 euro për metër katror, ndërsa atyre u është ofruar një kompensim me rreth 4 euro për metër katror, gjë që e kanë refuzuar kategorikisht.

Banorët kanë kërcënuar se do ta përshkallëzojnë protestën.