Transmetuar më 04-02-2023, 22:31

Itali – Arrestohen dy shqiptarë të akuzuar si të përfshirë në trafikun e drogës në Itali.

Ata u ndaluan në dalje të autostradës Bari Nord, në A/14. Policia tha se arrestoi një 42-vjeçar dhe një 21-vjeçar, të dy me kombësi shqiptare, të dyshuar për trafik droge në sasi të mëdha.

Sipas mediave lokale, gjatë një postblloku, agjentët e Policisë Rrugore ndaluan një furgon me targa të huaja, në të cilin ndodheshin dy shqiptarë, të cilët menjëherë kanë shfaqur shenja intolerance dhe nervozizmi të pajustifikuar.

Brenda pjesës së pasme të automjetit, policët gjetën disa çanta të llojeve dhe madhësive të ndryshme, me ushqime (vaj dhe fruta dhe thasë me mish në gjendje të avancuar dekompozimi) të cilat lëshonin një erë të fortë, por u kuptua që ishte një marifet për të mbuluar sa më shumë erën e lëndës narkotike, në rast kontrolli.

Nga kontrolli i mëvonshëm i mjetit dhe personave, u bë i mundur gjetja e 5 pakove të mbuluara me celofan dhe të fiksuara me shirit ngjitës, me përmbajtje heroine dhe kokainë, me peshë totale 5.642 kg, të cilat kapin vlerën në treg prej 73.205 eurosh.