Transmetuar më 04-02-2023, 21:10

Paris- Xhudistja nga Kosova, Distria Krasniqi, ka fituar medaljen e artë në Grand Slamin që po mbahet në Paris të Francës.

Krasniqi fitoi medaljen artë në kategorinë deri në 52 kilogramë. Kampionia olimpike triumfoi në finale përballë hungarezes Reka Pupp.

Xhudistja shqiptare e Kosovës e nisi raundin e parë pa ndeshje, ndërsa në raundin e dytë mposhti spanjollen Marina Castello Diez për të kaluar në çerekfinale.

Në çerekfinale, xhudistja u përball me mongolezen Sosorbaram Lkhagvasuren, të cilën e mposhti me ‘ippon’ (rezultati më i lartë në xhudo) për të kaluar në gjysmëfinale.

Xhudistja u tregua e fortë edhe në gjysmëfinale duke fituar me dy ‘waza-ari’ (rezultati i dytë më i rëndësishëm në xhudo) ndaj francezes Amandine Buchard dhe për të siguruar medaljen.