Transmetuar më 04-02-2023, 15:28

Gruaja që akuzohet se ka vjedhur para në një banesë ku ishte pastruese, ka pranuar kërkesën e prokurorisë për të bashkëpunuar me drejtësinë, duke përfituar lehtësira në procesin ndaj saj.

Rozeta Dobi ka dhënë dje një dëshmi e cila duket se po fundos persona të rëndësishëm në kabinetin qeveritar të kryeministrit Edi Rama, duke nisur me Alda Klosin, ish drejtore koncesionesh dhe ish shefe kabineti e zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.

Rozeta ka kërkuar një tjetër avokat, duke refuzuar të vazhdojë mbrojtja ligjore nga Artan Gjermeni, një personazh i akuzuar disa herë nga opozita shqiptare.

DËSHMIA E ROZETA DOBIT

“Kam vendosur të bashkëpunoj me drejtësinë. Nuk dua të mbrohem nga avokatët që më ka caktuar familja. Dua të më caktohet një avokat nga shteti.

Kam filluar punë si pastruese në shtëpinë e Alda Klosit në vitin 2018. Shtëpinë në atë kohë e kishte te ‘Mozaiku’. Aty ka pasur dhe një shtëpi tjetër.

Në vitin 2018 kam konstatuar që në krevatin e saj të mbuluar me batanije kishte lekë dhe euro, shuma të mëdha.

I kam marrë dhe i kam sistemuar në sirtar dhe e kam telefonuar Aldën dhe i kam thënë që lekët i ke në sirtar.

Alda Klosi kishte përveç kësaj një shtëpi në ‘Kombinat’. Po ashtu, kishte porositur një shtëpi te ‘Kodra e Diellit’ dhe kishte një shtëpi të ndërtuar në truallin e prindërve.

Shpesh Alda lëvizte parà, unë nuk kam prekur asgjë. Kur shkoi te apartamenti te ‘Rruga e Kosovarëve’ atëherë që u nda nga bashkëshorti, ajo më kërkoi që t’i mbaja këto para.

Unë e kam marrë kasafortën, e kam çuar në shtëpinë time me makinën e djalit dhe i kam sistemuar disa nga lekët dhe bizhuteritë. Disa të tjera i kam vendosur te sirtari i dollapit tim për t’i sistemuar më vonë.

Shuma prej 25.700 eurosh që është gjetur te komoja e krevatit janë para të punës sime.

Ndërkohë shtëpinë e saj e bëra unë rrëmujë sepse Alda donte të fajësonte për paratë dhe bizhuteritë bashkëshortin, pasi ai e kërcënonte”, ka dëshmuar Rozeta duke dhënë versionin e saj.

Ajo ka folur dhe për dy makinat e djalit, të blera të përdorura dhe me çmime modeste.

"Makinat ia kam blerë unë djalit. Njëra ka kushtuar 3 milionë lekë të vjetra", tha ajo

Makina tjetër ishte blerë rreth 5 mijë euro.

Rozeta Dobi ka punuar gjatë në disa personazhe të qeverisë, mes tyre dhe tek banesat e ish ministrit dhe deputetit aktual socialist, Arben Ahmetaj në Tiranë dhe në Gjirin e Lalzit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd