Transmetuar më 04-02-2023, 14:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot në dalje për mediat se ka zbardhur skemën e kryeministrit Edi Rama për të shkrirë kupolën opozitare përmes djegies së figurave qendrore të saj.

Sali Berisha iu referua skandalit me ish shefin e FBI-së që mori qindra mijë dollarë nga një biznesmen shqiptar, kinse si borxh, kur tha se "akti korruptiv mafioz më madhor ishte përjekja për të rrënuar Sali Berishën".

"Sot pas 32 vitesh, për ironinë më të madhe të fatit, vendi që kontribuoi më shumë se kushdo tjetër në përmbysjen e sistemit komunist në Europë, dëshmohet, apo eksponentë të këtij vendi në zbulim, në demokraci, dëshmohen mbështetësit më fanatikë të regjimit të Edi Ramës.

Angazhohen me të gjithë potencialin e shtetit të tyre të madh, vendit të lirisë, për rrënimin e opozitës shqiptare dhe shndërrimin e Shqipërisë në një shtet monopartiak siç ka qenë 46 vite.

Sundim i cili nuk bazohet më në doktrinën marksiste dhe leniniste, por në krimin, drogën dhe vjedhjen.

Është tragjike kur mendon se si pasaardhësi i Spiro Kolekës, pasardhësi i Kristaq Ramës, xhelatë të vërtetë të diktaturës, korrupton një nga njerëzit më të fuqishëm në fushën e zbulimit në planet, për të shkatërruar opozitën shqiptare, PD-në.

Dhe kjo vazhdon me aktin korruptiv mafioz madhor. Pasi e futën në thes ish-kreun e PD, tani duhet të rrënonin edhe një njeri tjetër, që kishte vetëm autoritet moral dhe asnjë fuqi vendimmarrëse në PD prej 8 vitesh, duhej të rrënonin Sali Berishën.

Këtu mafia e Sorosit, në një lobim korruptiv me Ramën, ia dolën të fitojnë të marrin firmën e Blinken për shpalljen non-grata të një njeriu që gjatë karrierës kishte dy epitete: shumë pro-amerikan dhe i pakorruptuar.

Mbi bazën e kësaj linje, guvernatorja Yuri Kim u shndërrua në mbështetësen më fanatike të organizatës kriminale të Edi Ramës. Ajo nuk la gur pa luajtur, nuk la përpjekje pa bërë për të vazhduar kontrollin e plotë ndaj opozitës shqiptare për llogari të Edi Ramës. Nuk la mbështetje pa dhënë, nuk la rast pa treguar fanatizmin e saj në mbështetjen ndaj Edi Ramës dhe kësaj bande mafioze", tha Berisha.

Duke u ndalur tek afera McGonigal, Berisha tha se "jemi të vendosur të bëjmë një betejë të pamposhtur për të nxjerrë në dritë çdo fakt të këtij skandali" dhe paralajmëroi:

"Çështja McGonigal nuk do të kalojë kurrë si të tjerat. Kjo është një çështje që ka tronditur thellë opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar.

Çështja McGonigal është simbol i veprimeve më të zeza që një mafie ndërkombëtare ndërmerr ndaj një vendi. Jo më për asgjësimin e dy-tre personave, por të pluralizmit politik.

Të gjithë ata që u implikuan në këtë operacion të turpshëm, do të marrin vendin që meritojnë.

Ne jemi të vendosur të bëjmë një betejë të pamposhtur për të nxjerrë në dritë çdo fakt të këtij skandali.

Jemi vendosur të informojmë komisionin hetimor në SHBA, për veprimtarinë kriminale, antidemokratike dhe antikushtetuese të McGonigal dhe të çdo diplomati që ka vazhduar veprën e zezë të shkatërrimit të opozitës". /noa.al