Transmetuar më 04-02-2023, 13:59

Vodhi shuma parash në një banesë tek ish Blloku, vihet në pranga ish-punonjësja e mirëmbajtjes në Tiranë. Sekuestrohen 840 euro, 600 dollarë dhe 40 900 lekë të rinj

TIRANË – Një tjetër pastruese hajdute është arrestuar sot në Tiranë, nga operacioni policor i koduar "Gracka".

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në provat e siguruara gjatë një pune të mirëfilltë hetimore për vjedhjen e disa shumave parash, në një banesë në rrugën "Vaso Pasha", kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Gracka".

Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi i shtetases Elida Kodra, banuese në Tiranë.

Nga provat e siguruara gjatë hetimit ka rezultuar se Elida Kodra, e cila ka qenë e punësuar për mirëmbajtjen e banesës së shtetasit Z. E., në rrugën "Vaso Pasha", në zonën e ish Bllokut, gjatë javës së fundit ka vjedhur në këtë banesë, 2000 euro, 300 dollarë dhe 35 000 lekë të rinj.

Gjatë kontrollit të çantës së shtetases Elida Kodra,, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 840 euro, 600 dollarë dhe 40 900 lekë të rinj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, raporton noa.al.