Transmetuar më 04-02-2023, 14:09

Manuel Neuer nuk është në gjendjen e tij më të mirë. I dëmtuar rëndë gjatë skijimit (pas zhgënjimit gjerman në Kupën e Botës), ai ka parë se si Bayerni ka nënshkruar me zviceranin Yann Sommer për të mbrojtur portën bavareze dhe se si klubi shkarkoi një nga miqtë dhe mbështetësit e tij më të mirë në dhomën e zhveshjes, trajnerin e portierëve: Toni Tapalovic.

Në një intervistë për gazetën gjermane "Süddeutsche Zeitung", Neuer foli për shkarkimin e Tapalovic dhe mënyrën sesi Bayern e ka trajtuar këtë çështje. “Të gjithë në grupin tonë të portierëve u shkatërruan, njerëzit filluan të qajnë, – tha portieri, i cili u befasua nga lajmet jashtë fushës.

– Ishte një goditje për mua. Ndjeva sikur po më shqyhej zemra, ishte gjëja më e çmendur që kam përjetuar në karrierën time". Kujtojmë se largimi i Tapalovic erdhi menjëherë pas dëmtimit të tij të rëndë. Neuer e kishte kaluar pothuajse të gjithë karrierën pranë tij, nga Schalke te Bayern Munich: "Ai jo vetëm që ka punuar si trajner i imi për 11 vite e gjysmë, por ka qenë i dashur për të gjithë".

Në ambientet e Bayernit u fol për një shkarkim që shkonte përtej arsyeve sportive, pasi disa e konsideronin Tapalovicin si spiun në dhomën e zhveshjes, diçka që Neuer e mohon. “Toni nuk e bëri kurrë këtë, pavarësisht se cili trajner ishte te Bayerni, – tha ai dhe përsëri kritikoi metodat e shkarkimit: – Ka të bëjë me aspektin njerëzor, kemi të bëjmë me një punonjës të denjë. Te Bayern Munich duam të jemi ndryshe, si një familje, por ndodhi kjo gjë, që nuk e kam përjetuar më parë këtu”.

Edhe pse siguron se kur të kthehet nga dëmtimi do ta sfidojë Sommer për vendin e titullarit, portieri gjerman la një fjali dyshuese për të ardhmen e tij: "Kam menduar për gjithçka. Gjithashtu për të ardhmen time në klub".