Transmetuar më 04-02-2023, 13:40

“Ne e dimë, derbi është një ndeshje shumë e përzemërt. Do të nevojiten edhe mendja, edhe zemra”. Këto janë fjalët e trajnerit të zikaltërve, Simone Inzaghi, në prag të Inter-Milan në kampionat.

Një derbi që do të vlejë pikë të rënda në garën për t’u kualifikuar në Champions League. "Që kur kam qenë këtu, ne kemi luajtur 6 derbe me kuqezinjtë, – vazhdoi Inzaghi. – Derbet e ligës (Serie A) kanë qenë zhgënjyes, ndërsa në kupa na kanë lejuar të fitojmë trofe. Do të na duhet ekuilibri i duhur nesër".

Më pas një vlerësim për Skriniar, i cili nuk pranoi rinovimin dhe do të largohet në fund të sezonit si lojtar i lirë, pra falas: "Unë nuk i gjykoj zgjedhjet e tij, por si njeri dhe futbollist është një profesionist unik. Ai me shumë mundësi do të jetë nesër në ndeshje, edhe nëse nuk do të jetë më kapiten.

Shiriti i kapitenit? Kemi hierarki në bazë të paraqitjes. Skriniar nuk do të jetë më kapiten, folëm me shumë qetësi për këtë. Kapiteni është Handanovic, pastaj Brozovic, Lautaro, D’Ambrosio. Është vendosur në bazë të paraqitjes”.

Duket se zikaltrit janë gati për sfidën ndërqytetase me kuqezinjtë: “Derbet janë gjithmonë një histori më vete. Duam të japim gjithçka, jemi të lumtur dhe karikuar prej kualifikimit në gjysmëfinale të Kupës së Italisë".