
Derbi i 178-të i Madoninës në Serie A ofron mundësi të mëdha si për Interin ashtu edhe Milanin. Zikaltrit, të cilët “formalisht” do të presin kushërinjtë e tyre në “San Siro”, mund t’iu japin goditjen fatale kuqezinjve, të cilët vijnë nga një moment katastrofik, por ëndërrojnë për një fitore kthese në derbi.
Ideja e Simone Inzaghit do të jetë të ngrihet si “raketë” për të përfituar nga brishtësia e Milanit (vetëm Cremonese dhe Sampdoria kanë pësuar më shumë gola se skuadra e Stefano Piolit). Interi është skuadra që ka shënuar më shumë në 30 minutat e para të ndeshjeve, 14 gola, ashtu si Lazio.
Për ta bërë këtë ndaj “Djallit” do të mbështetet te Lautaro Martinez, i cili kur sheh kuqezinjtë emocionohet: 6 gola të shënuar ndaj Milanit në karrierën e tij, vetëm kundër Cagliarit (8 gola) ia ka dolë më mirë. Për sulmuesin argjentinas do të ishte një mundësi për t’u afruar edhe më shumë me golashënuesin e huaj më të mirë në historinë e Interit në derbi, që është Nyers me 11 gola.
Jo se Pioli është pa kampionë, Olivier Giroud ka shënuar në të dyja kampionatet e tij të para si kuqezi në dy derbi (3 gola në total). Asnjë lojtar tjetër i Milanit nuk e ka gjetur kurrë golin në të tria ndeshjet e para kundër zikaltërve në Serie A, që kur filloi të llogaritej me 3 pikë fitorja.
Duke pasur parasysh vështirësitë e kuqezinjve, shumë e shohin Interin si favorit (por në derbi, e dini, nuk vlen domosdoshmërisht forma aktuale), edhe shifra të tjera duket se sugjerojnë këtë skenar. Në këtë kampionat, zikaltrit kanë pësuar vetëm 5 gola në ndeshjet në shtëpi (si Roma), askush nuk ka bërë më mirë.
Nga ana tjetër, Milani ka vendosur rekordin absolut negativ të golave të pësuar në një muaj të vetëm: në janar janë 18, golat e pësuar nag kampionët italianë. Kjo është fantazma e humbjes së katërt radhazi, duke marrë parasysh të gjitha garat, që nuk i ka ndodhur Milanit nga viti 2017, kur Vincenzo Montella ishte aty si trajner.
Është gjithashtu e vërtetë që zikaltrit kanë humbur dy derbet e tyre të fundit në shtëpi, në Serie A, dhe kuqezinjtë, për herë të parë që nga 2010-2011 (trajneri ishte Massimiliano Allegri), mund t’i fitojnë të dyja ndeshjet derbi në një sezon të vetëm të Serie A.