Transmetuar më 04-02-2023, 09:19

Pasi Rozeta Dobi po bashkëpunon me drejtësinë, policia ka arrestuar mbrëmjen e së premtes ish-zyrtaren Alda Klosi në banesën e së cilës dyshohet se në muajin dhjetor, u vodhën mbi 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë nga Rozeta Dobi, e cila punonte si pastruese në një banesë të marrë me qira prej Klosit. Së bashku me pastruesen, u arrestua dhe djali i saj Havier Dobi, i dyshuar se kishte bashkëpunuar me nënën e tij në grabitjen e shumës së parave dhe Havier Dobin

TIRANË- Detaje të reja kanë dalë ditën e sotme nga arrestimi i ish-zyrtares Alda Klosi. Mësohet se Klosi u arrestua mbrëmjen e djeshme pas një dëshmie të pastrueses Rozata Dobi e cila po bashkëpunon me drejtësinë. Gjatë dëshmisë së saj Dobi është shprehur se gjatë kohës që punonte si pastruese ka parë shumë para në atë banesë.

“Paratë vinin që nga viti 2021. Unë nuk kam dijeni kush i sillte, por paratë vinin në çanta. Në dhjetor 2022 Alda ngaqë kishte konflikte dhe po ndahej me burrin më kërkoi t’i ruaja.

Ditën që i mora me çantë i nxora nga kasaforta, pasi Alda nuk ishte në shtëpi. Më tha ajo vetë merri në kasafortë. Ngjarjen e vjedhjes e inskenova pasi ajo donte të ngarkonte me përgjegjësi burrin," tha ajo.

Më tej Rozeta ka thënë se lekët i fshehu tek aspirimi i kuzhinës, duke aluduar se edhe 404 mijë eurot që u gjetën aty, ishin të Alda Klosit.

Çështja e Rozeta Dobit dhe Alda Klosit ka marrë një vëmendje të shtuar nga drejtësia për shkak të shumës rekord që pastruesja ia doli të vidhte në banesën e zyrtares, një vlerë që e kalon atë të 500 mijë eurove.

Vjedhja e shtëpisë së Klosit ndodhi më 15 dhjetor dhe u pikas nga vajza e ish-zyrtares, pasi Rozeta Dobi dhe djali i saj Havieri kishin hapur derën me forcë dhe e kishin inskenuar si grabitje. Por, kamerat e sigurisë zbuluan gjithçka.

Tashmë nënë e bir janë në pranga. Ata kanë pranuar autorësinë e ngjarjes, por misteri lidhet me origjinën e parave. Kjo pasi në ditën e arrestimit, policia gjeti në banesën e Rozetës dhe Havierit një sasi prej mbi 120 mijë eurosh, para dhe stoli floriri.

Kjo shumë sipas Alda Klosit bashkë me florinjtë i përket asaj. Por të nesërmen pas arrestimit, në sajë të një përgjimi ambiental policia gjeti të fshehura në tubin e aspirimit të shtëpisë së pastrueses edhe 404 mijë euro të tjera.

Këto para janë pa pronar sot, pasi Alda Klosi mohon që të jenë vjedhur në banesën e saj. Pastruesja nga ana tjetër pohon se edhe këto para i ka marrë te Klosi. Për këtë shumë nuk ka asnjë denoncues në polici.

Klosi kishte pretenduar para hetuesve se paratë ishin të xhaxhait dhe i kishte ruajtur për kurimin e tij, por ai ndërroi jetë disa javë më parë në SHBA, ku edhe po kurohej. Megjithatë duket se as i ndjeri nuk i justifikonte dot paratë, pasi e mbesa është vendosur në pranga.