Transmetuar më 03-02-2023, 20:31

Beograd- Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë debatit parlamentar për Kosovën zbuloi se fotografia ku shfaqet ai duke buzëqeshur pranë kryeministrit Albin Kurti është montazh.

Në fjalën e tij në Kuvend, Vuçiç tha se fotoja e publikuar është ajo e Albin Kurtit e shkrepur gjatë takimit të ministrit të Jashtëm, Nikos Dendias. Vuçiç akuzoi deputetin e Partisë Demokratike Serjan Milivojeviç si përgjegjës për editimin dhe përhapjen e fotografisë në internet.

“Ja ku jemi unë dhe Kurti, ndonëse asnjëherë nuk kemi bërë një foto të tillë, as nuk kemi shtrënguar duart. Kjo është në fakt një foto e Kurtit me Dendiasin. Ky deputet që foli pak më parë (Serjan Milivojevic) mashtroi opinionin. Kurtit nuk i kam shtrënguar asnjëherë dorën dhe as e kam përqafuar. Vetëm për të mbajtur parasysh se me çfarë lloj hajdutësh kemi të bëjmë,”- tha Vuçiç, duke treguar dy fotot.