Transmetuar më 03-02-2023, 18:00

Një aksident ka ndodhur në Tiranë mëngjesin e kësaj të premte, ku për pasojë ka humur jetën një 17-vjeçar.

Viktima është identifikuar si Enjo Saliaj, i cili po udhëtonte me motor në momentin që është përplasur nga një automjet.

Fatkeqësisht i mituri nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.

Enjo Saliaj, ishte djali i Kudret Saliajt, i cili u vra nga nga vjehrri në qershor të vitit 2021 nga vjehrri, Mexhit Picari.

Vrasja e Saliajt erdhi pas debateve të vazhdueshme mes Saliajt dhe vajzës së Picarit, Dhurata Saliaj për divorcin dhe kujdestarinë e fëmijëve.

Saliaj kishte hapur procesin gjyqësor për t’u ndarë nga gruaja e tij, ndërsa u qëllua për vdekje në një kafene pranë gjykatës.

Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe ish-prokurori Adriatik Cama.

Mexhit Picari dhe vajza e tij, Dhurata Saliaj ndodhen në burg, kjo e fundit e akuzuar si bashkëpunëtore në krim.

Çfarë tha policia për aksidentin e sotëm

Në Tiranë, policia sot doli me një komunikatë të dytë ku tha se ka zbardhur rrethanat e aksidentit me pasojë vdekjen e 17-vjeçarit Enjo Saliaj, që ndodhi natën duke gdhirë dita e sotme, te Fresku.

Në vijim të punës për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të ndodhur rreth orës 23:30 të mbrëmjes së djeshme, te Fresku, ku si pasojë e përplasjes së një automjeti me një motor elektrik, mbeti i dëmtuar shtetasi E. S., 17 vjeç (drejtuesi i motorit elektrik), i cili më pas humbi jetën në spital, specialistët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë kanë kryer veprime hetimore për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të drejtuesit të automjetit të përfshirë në këtë aksident.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se në kohën që ka ndodhur aksidenti, automjeti nuk drejtohej nga pronari i tij, shtetasi F. A., por drejtohej nga shtetasi S. K., 19 vjeç, banues në Tiranë.

Nga verfikimet ka rezultuar se shtetasi S. K. ishte i pajisur me lejen përkatëse të drejtimit dhe nuk ka qenë nën efektin e alkoolit në kohën që është përfshirë në aksident.

Automjeti dhe motori elektrik u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve, shtetasi S. K., 19 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua në flagrancë dhe materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Çfarë ndodhi në 2021

Vjehrri vret dhëndrin dhe plagos ish-prokurorin Adriatik Cama pranë Gjykatës së Tiranës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e 4 qershorit 2021 në zonën pranë Gjykatës së Tiranës. Një person ka hyrë i armatosur në një lokal dhe ka qëlluar për vdekje shtetasin Kudret Saliaj.

Nga të shtënat, është plagosur edhe avokati Adriatik Cama, i cili ndodhej rastësisht në vendngjarje.

"Rreth orës 11:50, në bulevardin “Gjergj Fishta” dyshohet se shtetasi M. P. ka vrarë me armë zjarri shtetasin K. S. ( ish-bashkëshortin e vajzës) dhe si pasojë e të shtënave është plagosur dhe avokati Adriatik Cama, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën", tha atëherë policia.