Transmetuar më 04-02-2023, 08:19

Manuel Neuer deri pak javë më parë ishte i paprekshëm në portën e Bayern Munich, por një dëmtim i rëndë në fillim të dhjetorit, teksa po bënte ski gjatë ditëve të pushimit, pas eliminimit nga Botërori i Katarit, e ka komplikuar rëndë karrierën e tij futbollistike në moshën 36 vjeçare.

Me kontratë deri në qershor 2024, e ardhmja e Neuer te gjigantët bavarezë është në rrezik. Jo vetëm që do t’i duhet të konkurrojë kur të rikuperohet me ndërkombëtarin zviceran Yann Sommer, një portier i klasit botëror, i blerë te Borussia M’gladbach në merkaton e dimrit për të mbushur vendin e tij vakant. Në moshën 34-vjeçare, ai nënshkroi deri në vitin 2025.

Neuer, përveç kësaj, ka mbetur pa personin e tij të besuar, mikun më të ngushtë në stafin teknik, pasi Bayerni njoftoi më 23 janar shkarkimin e menjëhershëm të Toni Tapalovic, trajner i portierëve, "për shkak të dallimeve në mënyrën tonë të të punuarit së bashku".

Përfaqësuesit e Neuer i thanë gazetës gjermane "Bild" në fillim të kësaj jave se procesi i rikuperimit të portierit është në vazhdim dhe se qëllimi është që ai të jetë i disponueshëm në ditën e parë të përgatitjeve për sezonin e ardhshëm.

Neuer pësoi një dëmtim të rëndë më 9 dhjetor gjatë gjatë skijimit në vendpushimin alpin të Rosskopf (Bavaria). Si lojtari, ashtu edhe Bayerni raportuan për një "frakturë në pjesën e poshtme të këmbës së djathtë", por javë më vonë mediat gjermane aluduan për një frakturë të hapur të dyfishtë të tibisë dhe fibulës.

Neuer, i cili do të mbushë 37 vjeç më 27 mars, ka një proces të gjatë rikuperimi përpara dhe kur të rikthehet në stërvitje, shumëçka do të ketë ndryshuar në "Säbener Strasse", ambientet e Bayernit. Më tej nuk do të jetë më i padiskutueshëm, një risi që prej ardhjes së tij në klubin bavarez në vitin 2011 nga Schalke.

"Manuel është një portier i klasit botëror, të cilit tani duhet t’i japim të gjithë kohën dhe pushimin që i nevojitet derisa të rikuperohet", – thotë ish-portieri Oliver Kahn, menaxheri i përgjithshëm i Bayernit. Më pas fjalën e fundit do ta ketë trajneri Julian Nagelsmann, vendimin e vështirë për të zgjedhur mes Neuer dhe Sommer.