Transmetuar më 02-02-2023, 19:21

SHBA- Një nga yjet e filmave aksion të Hollivudit, Steven Seagal, duhet të sanksionohet për mbështetjen e ofensivës ushtarake të Rusisë në Ukrainë, kërkuan të enjten një grup politikanësh me Koalicionin e Sanksioneve SHBA-Evropë.

Mediat e huaja raportojnë se, një koalicion i përbërë nga anëtarë të lartë të Kongresit të SHBA, deputetë dhe parlamentarë ukrainas i dorëzoi një listë të individëve që dëshiron të sanksionohen Ministrit të Punëve të Jashtme suedeze Tobias Billstrom në fillim të kësaj jave.

Lista iu dërgua më parë Sekretarit të Shtetit të SHBA Antony Blinken dhe kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell, në fund të dhjetorit, sipas deputetit ukrainas Aleksey Goncharenko.

Kërkesa përfshin manjatët rusë Magomed Gadzhiev, Vladimir Lisin dhe Vladimir Potanin, politikanin Franz Klintsevich dhe Ksenia Sobchak – një figurë e opozitës ruse dhe ish-kandidate presidenciale.

Të paraqitur janë gjithashtu artistë si Philipp Kirkorov dhe Igor Krutoy, një zyrtar i një kompanie shtetërore ruse, bashkë-kryetari i partisë "Platforma e opozitës ukrainase – For Life", Vadim Rabinovich, si dhe aktori amerikan Seagal.

Ylli i Hollivudit i viteve ’90, i cili ka qenë shtetas rus që nga viti 2016, u përfshi në listë për shprehjen e tij të mbështetjes për operacionin ushtarak të Kremlinit në Ukrainë dhe fluturimin për në Moskë në prill për të festuar ditëlindjen e tij të 70-të me bashkëpunëtorët e presidentit Vladimir Putin, të cilët ai e quajti një "lider të madh botëror".

Në gusht, u raportua gjithashtu se aktori ishte duke punuar në një dokumentar për luftën e Kievit kundër republikave të Donbass, të cilat që atëherë i janë bashkuar Rusisë pas mbajtjes së referendumeve publike.