Transmetuar më 02-02-2023, 14:23

Tiranë- Dënohet me 6 muaj burg kryebashkiaku i Mallakastrës Qerim Ismailaj.

Dënimi u konvertua në 40 orë punë publike.

Pas më shumë se dy orësh në SPAK Ismailaj tha se do të vazhdojë betejën ligjore.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme ka kërkuar shpalljen fajtor dhe dënimin me një vit burg për kryebashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismailaj, për akuzën e deklarimit të rremë. Gjatë leximit të pretencës prokurori i çështjes për shkak të parrezikshmërisë të të pandehurit, kërkoi konvertimin e dënimit me 150 orë pune në kominitet. Ismailaj u mor i pandehur nga SPAK, për fshehjen e një dënimi me 3 vite burg në Greqi, duke falsifikuar formularin e dekriminalizimit.

Zyrtari akuzohet se nuk ka deklaruar një dënim penal në Greqi në vitin 2000 për akuzën e përleshjes. Hetimet ndaj kryebashkiakut të Mallakastrës filluan me denoncimin nga Partia Demokratike, ndërkohë që Prokuroria e Përgjithshme ka arritur në përfundimin se i zgjedhuri vendor ka qenë i dënuar me tre vite burg në Greqi.

Këtë fakt, sipas Prokurorisë, Ismailaj nuk e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Gjykata pranoi kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar dy javë më parë. Greqia ka konfirmuar me letërporosi procedimin penal dhe dënimin e Ismailajt, ku rezulton se ai ka pasur dijeni për procedimin ndaj tij dhe ka firmosur dokumente në palën greke. Ndërkohë publikisht, Ismailaj ka deklaruar se s’ka patur dijeni dhe është proceduar në mungesë.