Transmetuar më 03-02-2023, 07:42

Në mesin e futbollistëve që kanë dhënë më pak se sa pritej dhe kishin mundësi, për shkak të lëndimeve, gjatë karrierës së tyre, sigurisht që është edhe Eden Hazard. Belgu, sidomos që kur mbërriti në Madrid, ka qenë vazhdimisht në “infermieri” për një sërë problemesh të ndryshme, herë muskulare dhe herë artikulare, të cilat praktikisht e bënë të humbiste sezone të tëra.

Do të mjaftonte të mendohej se në vitin 2020 ishte e nevojshme t’i implantohej një pllakë në fibulën e tij, e cila iu hoq në vitin 2022. Ndërkohë, që nga viti 2019, kur e bleu Real Madridi, paraqitjet e tij kanë qenë shumë të pakta: 73 ndeshje, me vetëm 7 gola dhe 11 asiste.

Jo saktësisht shifrat që pritej, kur belgu u ble për 100 milionë euro nga Chelsea dhe u kurorëzua si trashëgimtari i Cristiano Ronaldos. Tani, siç shpjegoi “AS”, Hazard është jashtë planeve të Real Madridit, me Ancelottin që nuk e përdor titullar, përveç paraqitjeve sporadike.

Shifrat sezonale flasin për vetëm 296 minuta në 7 ndeshje. Dhe kush e di se si mund të kishin kaluar vitet e fundit pa gjithë këto probleme. Një "po sikur" që përfshin gjithashtu dikë që tani ka sjellë karizmën e tij në Serie A: Josè Mourinho.

“The Sun”, përballë listës së gjatë të lëndimeve të ish-yllit të Chelsea, jo më pak ai në kyçin e këmbës që sapo pësoi, raportoi atë që duket të jetë një profeci e vërtetë nga “Special One” për Hazard, i cili në vitin 2015 ishte një nga lojtarët e tij në “Stamford Bridge”.

Portugezi kishte shpjeguar se belgu i lindur më 1991 duhej mbrojtur dhe se ndër vite ndërhyrjet jo tamam delikate të mbrojtësve të Premier League mund t’i krijonin probleme fizike: “Njerëzit që e duan futbollin në këtë vend duhet të jenë të dashuruar edhe me Eden Hazard.

Dhe nëse vazhdon kjo situatë ku, ndeshje pas ndeshjeje ai masakrohet nga kundërshtarët dhe nuk mbrohet nga arbitrat, ndoshta një ditë nuk do ta kemi Eden Hazard më. Le të flasim një, dy, tre, katër, pesë, dhjetë ndërhyrje agresive ndaj tij në një ndeshje. E godasin vazhdimisht dhe ai reziston, sepse luan shumë ndershëm. Por ky është një problem tjetër".

Pothuajse tetë vite më vonë, kartela mjekësore e belgut nënvizon se mënyra sesi Jose Mourinho i shikonte gjërat në fund të fundit nuk ishte e gabuar. Dhe fakti që Real Madridi tani po paguan pasojat nuk i ndryshon gjërat shumë…