
Tiranë- Seancë e pazakontë po zhvillohet këtë të enjte në Kuvend.
Deputeti i Lushnjës, Bledar Korreshi ka një bilbil, ndërsa deputetët e tjerë i bien tavolinave.
Mosprania e kryeministrit Edi Rama ka sjellë tensione të larta edhe këtë seancë plenare, ku grupimi i Berishës bllokoi foltoren për rreth një orë.
Grupimi Berisha kërkoi ndryshimin e rendit të ditës në mënyrë që mocioni me debat për çështjen McGonigal të zhvillohej pa limit kohor dhe të flisnin të gjithë deputetët. Por kjo kërkesë nuk mori votat e nevojshme dhe u rrëzua.
Nga ana tjetër, sot pritej që të zhvillohej interpelanca mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Grupit të PD-së, Enkelejd Alibeajt mbi çështjen e zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal.
Kreu i qeverisë nuk ka shkuar në Kuvend dhe ia ka deleguar interpelancën ministres Elisa Spiropali, por kjo nuk është pranuar nga deputetët e PD-së, të cilët kërkojnë interpelancë me vetë Ramën dhe asnjë nga ministrat.
Kuvendi rrëzon me 66 vota kërkesën e deputetëve të Berishës, Nikolla: Lironi foltoren
Socialistët kanë rrëzuar me 66 vota pro kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike për të ndryshuar rendin e ditës. Deputetët e PD kërkuan mocion për debat me kryeministrin Edi Rama, për të zhvilluar interpelancë dhe heqjen e limitit kohor për deputetët. Por kërkesa u rrëzua.
Kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla i kërkoi deputetëve demokratë të lirojnë foltoren dhe seanca të vijojë me interpelancën e kërkuar nga grupi Alibeaj. Edhe në këtë rast, kryeministri ia ka deleguar llogaridhënien ministres Elisa Spiropali.
Lindita Nikolla: 39 vota pro, 66 kundër, kërkesa bie. Vazhdojmë me rendin e ditës, lironi foltoren