Transmetuar më 01-02-2023, 13:44

Diola Dosti ka treguar një pjesë të rëndësishme të jetës së saj në dhomën e surprizave. Ajo foli për fëmijërinë dhe dashurinë e saj të jetës. Diola rrëfeu më pas periudhën e vështirë të shtatzënisë, pasi prindërit e saj ishin kundër kësaj gjëje.

Ajo shtoi se në atë periudhë kaloi një fazë të lehtë depresioni. Në momentet e divorcit ajo tha se “ju sulën” për faktin që bëri vajzën e tretë.

Diola u shpreh se është konsultuar me psikologë dhe se nuk u dorëzua kurrë ndonëse ishte e vetme me tre vajza.

"Unë jam Diola Dosti, kam lindur më 8 shtator 1987 dhe fëmijërinë time do ta konsideroja si një ndër fëmijët më të lumtur, që kam pasur gjithmonë diell në jetën time por edhe lule. Nuk kam qenë më shumë se 10 vjeç, në atë kohë mendoja se si të fitoja lekë. Mendova që të merrja disa gjëra që kishin prindërit e mi në shtëpi, i vendosa mbi një karrige. E gjithë njerëzit që kalonin i thosha që të blinin nga produktet e mia. Ndërkohë lekët ja jepja mamit dhe babit.

Faza e fakultetit, ky ishte momenti kur unë njoha njeriun që dashurova më shumë në botë. Njoha Dardanin. Nuk ka qenë e thjeshtë të isha me Dardanin sepse unë kisha familjen kundër tij. Unë ngela shtatzënë. Erdhi momenti ku mami më tha se ‘ti duhet të zgjedhësh, nëse do mbash këtë fëmijë me ne nuk i dihet se si do shkojë se ne jemi kundër kësaj martese”.

Në vitin 2008 në Tiranë, lindi ajo që më ndryshoi jetën. Isha 20 vjeçe kur u bëra mami. Më pas u zhvendosëm në qytetin Ferizaj. Ka qenë një fazë ku unë për herë të parë jam njohur me një formë të depresionit të lehtë. Nuk kishte as “Viber” as “Whatsapp” të flasësh me familjarët ndoshta 4-5 ditë.

Ndërkohë kisha për të përfunduar edhe provimet e fakultetit. Më pas për një periudhë të shkurtër kohore u zhvendosa në Prishtinë. Regjistrova fakultetin e dytë dhe në të njëjtën kohë lindi fëmija i dytë. Vajzat më kanë sjellë një lumturi të jashtëzakonshme. Kisha një brengë shumë të madhe sepse me lindjen e vajzës së dytë nuk pashë të njëjtin gëzim në sytë e familjarëve që na rrethonin, për faktin se ishte vajzë. Kjo ka qenë një goditje që jam përpjekur ta menaxhoj në jetën time, por që ka lënë shumë gjurmë.

Të jetë dikush familjar që thotë ‘po ti bëke vetëm vajza’. Në momentet e divorcit më është thënë, marrja e vajza për shembull. Më ka kushtuar shumë sepse kur erdha në Tiranë, gati nuk kisha asgjë. Këtë e bëra për të mos humbur vajzat. Kam pasur psikologen gjatë gjithë kohës, nuk kam pasur asnjë suport. Zero suport. Isha një grua vetëm me 3 fëmijë. Gjithmonë kam qenë e sigurt se do ja dal dhe me të vërtetë ja dola.

Por ndodhi diçka që vajzat nuk e përjetuan aspak mirë. Mu duk se vajza e tretë nuk i lidhte fjalët. Domethënë vetëm bërtiste dhe nuk fliste. Mendova se ishte momenti që unë, në emër të shëndetit të tyre mental të hiqja dorë prej tyre për një periudhë kohore, sa t’ju siguroja një apartament më të madh. Vendosa që vajzat t’i ktheja te babai i tyre. Jam ndjerë shumë e dështuar. Kjo është rënia ime. Gjurma më merrte në telefon çdo natë dhe fjala që më thoshte është ‘mam po du me ardhë te shtëpia jote’. E ti të mos kesh mundësi ta merrje. Unë shkoja i takoja çdo javë në Kosovë. Nënën nuk e zëvendëson askush”, tha Diola Dosti.