Transmetuar më 01-02-2023, 12:06

Antonio Conte duhet të operohet. Gjithçka tashmë është përgatitur, trajneri i Tottenham është shtruar në spital për t’iu nënshtruar një operacioni të nevojshëm për heqjen e fshikëzës së tëmthit.

Lajmin e ka dhënë vetë klubi londinez, i cili ka sqaruar edhe se si ka ardhur vendimi pas dhimbjeve të forta të barkut që ka përjetuar trajneri. Rezultati i kontrolleve diagnostike dhe i konsultës mjekësore sqaroi tablonë klinike dhe rrugën që duhej të ndiqej.

“Antonio Conte së fundi u sëmur, duke raportuar dhimbje të forta barku, – thuhet në shënimin zyrtar nga klubi londinez. – Pasi u diagnostikua me kolecisti, ai sot do t’i nënshtrohet një operacioni për t’i hequr fshikëzën e tëmthit dhe do të kthehet pas një periudhe rikuperimi”.

Trajnerit nga Salento do t’i duhen disa ditë për t’u rikuperuar pas operacionit, për këtë arsye prania e tij në stol të dielën e ardhshme është shumë e dyshimtë. Për momentin është e vështirë të thuhet nëse ai do të jetë në fushë për të përballur ndeshjen kundër Manchester City të Pep Guardiolës apo do ta shikojë atë vetëm nga distanca.

Çfarë është kolecistiti, nga i cili vuan Antonio Conte? Vuajtjet abdominale të trajnerit të “Spurs” përcaktohen nga inflamacioni i fshikëzës së tëmthit. Ky është organi që ndodhet pak poshtë mëlçisë dhe ka për detyrë të grumbullojë lëngun e prodhuar nga mëlçia, e nevojshme për tretjen dhe përthithjen e yndyrave.

Inflamacioni zakonisht shkaktohet nga prania e një guri që bllokon kanalin cistik. Dhimbja (madje shumë e fortë), ethet dhe të përzierat janë simptomat më të zakonshme. Një kontroll me ultratinguj ju lejon të identifikoni menjëherë problemin, hapi tjetër është një operacion për heqjen e fshikëzës së tëmthit, i cili kryhet me teknikë laparoskopike.

Koha e shtrimit në spital varet nga ecuria pas operacionit dhe nga mënyra se si reagon trupi i pacientit.