
Lajmet e këqija nuk ndalen së grumbulluari për Dani Alves. Në fakt, kot nuk thonë: koka bën, koka pëson. Bashkëshortja e tij aktuale, Joana Sanz, ka vendosur t’i japë fund martesës me futbollistin brazilian, i arrestuar prej gati dy javësh për akuzën e rëndë të përdhunimit të 23-vjeçareje në Barcëelonë.
Këtë fakt e kanë bërë të ditur avokatët e tij, pasi mbrojtësi veteran ende nuk ka mundur ta takojë gruan. Siç kanë treguar në programin “Ana Rosa”, modelja nga Tenerife e kishte transmetuar vendimin për të kërkuar divorcin përmes avokatëve, pasi ata nuk ishin takuar dot.
Ky është një vendim përfundimtar dhe i menduar nga ana e modeles, e cila nuk ka ndërmend të tërhiqet, pavarësisht se çfarë i sjell më në fund drejtësia brazilianit, pasi konsideron se futbollisti e ka tradhtuar.
Prej disa ditësh tashmë mund të kuptohej diçka për ndjenjat e modeles kanariane, pasi ajo kishte kaluar nga mbështetja e plotë e bashkëshortit te fshirja e fotove që të dy së bashku kishin në Instagram.
Nuk është një kohë e lehtë as për të, pasi paraburgimit të bashkëshortit i shtohet fakti që nëna e saj vdiq në mes të janarit. Siç tha edhe vetë modelja, ajo humbi dy shtyllat e jetës së saj.
Po kështu, gjatë këtyre ditëve, ajo nuk ka reshtur së treguari në rrjetet sociale mesazhe fyerjesh dhe kërcënimesh pas lajmeve për përdhunimin e dyshuar të kryer nga partneri i saj.