Transmetuar më 31-01-2023, 11:28

Lionel Messi ka dhënë intervistën e tij të parë që kur u bë kampion bote. Kampioni i PSG-së dhe kapiteni i Argjentinës foli me mikrofonat e "TyC Sports", duke analizuar rrugën e Albiceleste drejt fitimit të Kupës së Botës në Katar. "Kam marrë shumë kritika, – thotë Messi, – të të gjitha ngjyrave.

Familja ime ka vuajtur shumë më tepër se unë. Por tani e kemi kompletuar ciklin e plotë: fituam Kupën e Amerikës dhe Kupën e Botës. Për mua dhe për të gjithë ishte diçka mbresëlënëse. Ajo që kemi ëndërruar aq shumë është realizuar, ajo që kam dashur aq shumë gjatë gjithë karrierës sime pothuajse është kompletuar.

E dija që gjithçka që imagjinoja do të ishte ishte e parëndësishme krahas asaj që do të ndodhte në të vërtetë dhe ishte kështu. Të jetoja me njerëzit, ndjenjat e mia, ato të miqve të mi dhe familjes sime nga e gjithë Argjentina. E pabesueshme. Pas finales 2014 kisha thënë se e dija që Zoti do të ma jepte një Kupë Bote”.

Messi është rikthyer edhe në ndeshjen kundër Holandës, një sfidë plot emocione dhe polemika, si brenda dhe jashtë fushës. Në veçanti, kampioni argjentinas iu rikthye përballjes me sulmuesin holandez Wout Weghorst dhe të shprehjen e tij të famshme ‘pse më shikon ashtu, budalla’:

"Nuk më pëlqen ajo që bëra. Kishte shumë tension, nuk ishte e menduar. Nuk më doli natyrshëm. Gjatë lojës kishin ndodhur shumë gjëra me këtë lojtar dhe dy të tjerë. Ishte një moment tensioni i madh. Nuk më pëlqen imazhi që më dha ky episod”.

Më pas foli për Maradonën: "Do të ishte e mrekullueshme nëse ai do të ma kishte dhënë trofeun me duart e tij. Ose të paktën nëse mund t’i kishte parë të gjitha këto. Personalisht mendoj se ai na dërgoi shumë forcë nga lart, po na shtynte drejt fitores".

Për humbjen me Arabinë Saudite: "Ishte momenti më delikat, por ndeshja kundër Meksikës ishte më e vështira për shkak të gjithçkaje që ishte në rrezik. Mendoj se ishte ndeshja më e keqe që luajtëm. Kisha besim se do të vazhdonim, se gjërat përfundimisht do të funksiononin".

Më në fund për foton me më shumë pëlqime në histori dhe për vetë trofeun: "Nuk ishte diçka që po e kërkoja si rekord. Nuk ishte qëllimi im të kisha foton me më shumë pëlqime. Kjo tregon sa shumë njerëzit donin të më shihnin me atë trofe në duar. Është shumë e vështirë t’i përgjigjesh çdo gjëje, kisha një milion mesazhe në Instagram.

Ky fluks mesazhesh përfundoi duke ma bllokuar profilin në Instagram. U detyrova të fshija shumë mesazhe që nuk mund t’i shihja. Ishte një çmenduri. Kupa e Botës? E pashë atje dhe nuk mund të mos bëja atë që bëra. Më thirri vetë trofeu, sikur më tha: Ja ku jam, hajde më merr. Tani mund të më prekësh. E mendova këtë dhe shkova ta puthja…"