Transmetuar më 30-01-2023, 21:54

Foto ilustruese

TIRANË- Tre bashki do të kenë votim dhe numërim elektronik në zgjedhjet e 14 majit.

Qeveria, përmes një vendimi i ka akorduar Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, një fond shtesë. Në fletoren zyrtare shihet i zbardhur vendimi i qeverisë, me kërkesë të Ministrisë së Financave për alokimin e një fondit prej 1.9 mld lekësh për financimin e votimit elektronik sipas kërkesës së bërë nga KQZ dhe 600 milionë për shpenzime të tjera.

Në zgjedhjet e 14 Majit, nuk do jetë vetëm Vora zonë e votimit elektronik për garën elektorale. Elbasani dhe Kamza po shqyrtohen si zona ku procesi të kryhet në mënyrë elektronike.

“Në përputhje me fondin e vënë në dispozicion konkludojmë se ai është i mjaftueshëm për zhvillimin e votimit elektronik në 352 qendra votimi, veçmas bashkisë Vorë. Duke marrë në konsideratë këtë numër qendrash votimi, kohën në dispozion të realizimit të këtij projekti, si dhe dobinë për zhvillimin e tij në ambiente gjeografike të ndryshëm rekomandohet zhvillimi i votimit elektronik edhe në bashkitë Elbasan dhe Kamëz, përkatësisht ZAZ 47, 48, 49, 50 dhe për bashkinë Kamëz në ZAZ 27 dhe 28; për bashkinë Vorë, përkatësisht ZAZ 26,” thuhet në relacionin e KQZ-së për këtë çështje.

Bashkitë që ku do të aplikohet do vendosen nga KQZ në konsensus me partitë politike.

VENDIMI I QEVERISË:

Nr. 38, datë 27 1.2023

PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2023, MIRATUAR PËR KOMISIONIN QENDROR TË ZGJEDHJEVE, PËR ORGANIZIMIN E ZGJEDHJEVE PËR ORGANET E VETËQEVERISJES VENDORE, TË DATËS 14 MAJ 2023

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 87, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 5 e 45, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr. 84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, për organizimin e zgjedhjeve për organet e vetëqeverisjes vendore, të datës 14 maj 2023, i shtohet fondi prej: a) 1 993 610 933 (një miliard e nëntëqind e nëntëdhjetë e tre milionë e gjashtëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e tridhjetë e tre) lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”, të programit buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”; b) 606 389 067 (gjashtëqind e gjashtë milionë e treqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëdhjetë e shtatë) lekësh, në zërin “Shpenzime kapitale”, të programit buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”.

2. Efekti financiar, i përcaktuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet:

a) 1 800 000 000 (një miliard e tetëqind milionë) lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për përballimin e kostos së zgjedhjeve, miratuar për vitin 2023;

b) 800 000 000 (tetëqind milionë) lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme, miratuar për vitin 2023.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

ZËVENDËSKRYEMINISTËR Belinda Balluku