Transmetuar më 28-01-2023, 23:47

KOSOVË- Personi që plagosi nënë e bijë me armë zjarri në Kosovë ka ndërruar jetë në spital. Vdekjen e tij e ka konfirmuar për Telegrafin mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente të QKUK-së, Ejup Govori. Ai ka thënë se i dyshuari është paraqitur në QKUK në gjendje të rëndë, me dy plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.

“Gjendja e tij kur është pranuar në QKUK ka qenë e rëndë, pra ka pasur shenja jete por ka qenë me parametra vital të komprometuar. Ka pasur dy plagë nga arma e zjarrit”, ka thënë Govori.

Mister mbetet personi që e ka qëlluar autorin e plagosjes. Paraprakisht dyshohet se rasti ka ndodhur për shkak të një mosmarrëveshjeje për një pronë. Të plagosurat janë duke marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Nëna e lindur në vitin 1959, është duke kryer një ndërhyrje kirurgjikale për shkak të plagëve të marra në stomak. E bija e lindur në vitin 1979, ka marrë lëndime në duar.