Transmetuar më 27-01-2023, 11:15

Elbasan- Aksidentoi me vdekje të riun në Elbasan dhe u largua nga vendi i ngjarjes, identifikohet dhe arrestohet drejtuesi i mjetit.

Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, si rezultat i një pune intensive hetimore dhe profesionale, bënë të mundur zbardhjen e aksidentit rrugor, me pasojë vdekjen, të ndodhur më datë 23.01.2023.

Si rezultat, nga shërbimet e Policisë u bë identifikimi, lokalizimi dhe ndalimi i drejtuesit të automjetit, A. D., 65 vjeç, banues Fier, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas, mbrëmjen e datës 23.01.2023, në unazën e qytetit, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka aksidentuar me pasojë vdekjen, F. S., 20 vjeç, banues në Elbasan, i cili po lëvizte me këmbë. Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Në vijim të veprimeve, automjeti tip “Benz” u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.