Transmetuar më 25-01-2023, 23:39

TIRANË- Kreu i Kadastrës Artan Lame ka deklaruar se në shtetin shqiptar nuk janë hipotekuar pronat shtetërore. I ftuar në emisionin “Opinion”, teksa fliste për legalizimet dhe ndërtimet pa leje ndër vite në vendin tonë, Lame përmendi rastin e Presidencës, për të cilën tha se është e paregjistruar, si edhe prona të tjera shtetërore. Sipas Lames, në total rreth 90% e pronave shtetërore nuk janë të regjistruara.

“Shteti shqiptar ka 30 vite që ndërton pa leje. Ne atëherë u morëm me legalizimin e pronave publike, që u bë një VKM e veçantë. Situata me pronat e privatëve po fillon të vihet në linjë. Praktikisht pronat shtetërore janë pa leje. Pronat e tjera shtetërore, malet, kodrat, godinat pa pronar, etj. Kemi rreth 6 muaj për të bërë këtë program. në regjistrin e pronave publike në të cilën do të regjistrojmë vetëm pronën shtërore. Në kohën kur ishte president Ilir Meta, nuk e dekretoi ligjin 20-20 dhe një nga arsyet që është kafshuar Presidenca është pikërisht se nuk është e regjistruar. Mund të them se 90% e pronave shtetërore nuk janë të regjistruara”,-tha Lame.