Transmetuar më 24-01-2023, 10:11

Kapiteni 30-vjeçar shqiptar i kombëtares helvete u nderua në “Natën e Futbollit të Zvicrës”, një ngjarje e organizuar nga Federata Zvicerane e Futbollit (SFV) dhe Liga Zviceriane e Futbollit (SFL) në “Casino Bern”. Xhaka fitoi çmimin kryesor “Lojtari më i mirë kombëtar i vitit 2022”.

Ramona Bachmann u votua si lojtarja më e mirë e kombëtares zvicerane në vitin 2022. Gjithashtu u nderuan: Fabian Rieder (Young Boys) si lojtari më i mirë në Superligë; Brighton Labeau (Lausanne-Sport) si i riu më i mirë, Fabienne Humm (FC Zurich) si lojtarja më e mirë në Superligë për femra.

1143 nga 1170 minuta… Në vitin kalendarik 2022 vetëm Breel Embolo dhe Remo Freuler u përdorën në të 13 ndeshjet e kombëtares së Zvicrës së bashku me Granit Xhakën. Xhaka ishte në fushë në 1143 nga 1170 minutat e mundshme. Në fund të marsit, në ndeshjen ndërkombëtare kundër Kosovës, Xhaka u bë lojtari i gjashtë zviceran në histori që e veshi fanellën e kombëtares për herë të 100-të.

Granit Xhaka ishte shumë i nderuar dhe i kënaqur në ‘Casino Bern’. Ai falënderoi të gjithë njerëzit që besuan tek ai: “Por, falënderoj edhe ata që nuk besuan tek unë, sepse më kanë shtyrë gjithmonë”. Ai gjithashtu tha disa fjalë për punën e bërë tek Arsenali, kryesuesi aktual i Premier League: “Tri vite më parë isha gati të largohesha nga Arsenal dhe tani jam aty si lider. Çmimi do të thotë shumë për mua”.