Transmetuar më 23-01-2023, 19:42

KOSOVË- Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka ftuar qytetarët që të vlojnë ujin para përdorimit. Në një njoftim zyrtar, Ministria bën me dije se kjo gjë shërben si masë e sigurisë bakteriologjike, e zbatueshme në situata me turbullirë të shtuar. Sipas MSH-së, si pasojë e vërshimeve në pjesën më të madhe të vendit, situata me ujë është vështirësuar dukshëm.

Nga rajoni i Prishtinës, fabrika Shkabaj mbetet jashtë funksionit, ndërsa fabrika në Drenas ka startuar të dielën me trajtimin e ujit me kapacitet të zvogëluar. Ujë i turbullt është regjistruar edhe në burimet Burimi dhe Drini i Bardhë në rajonin e Pejës, me ç’rast është bërë thirrje që uji të mos konsumohet i pa vluar. Ndërsa për shkak të vërshimeve dhe prurjeve në burime, është ndërprerë furnizimi me ujë nga burimi Jarinë – Klinë dhe tani furnizimi bëhet vetëm nga fabrika e ujit në Klinë.

“Për shkak të uljes së kapacitetit prodhues janë duke u zbatuar restriksione në tërë zonat e shërbimit të KRU-Prishtina. Rajoni Mitrovicë: Fabrikat në Shipol- Mitrovicë dhe në Balicë- Vushtrrisë janë në funksion të plotë me trajtimin e ujit. Për shkak të vërshimeve uji i puseve nuk është i sigurt dhe duhet patjetër të vlohet para përdorimit. Burimi i Istogut paraqitet akoma me turbullirë, nuk rekomandohet për pije dhe para përdorimit duhet të vlohet. Në zonat e furnizimit nga KRU ‘Gjakova’ gjendja e cilësisë së ujit të pijes është e qetë, pos sistemi i Gërqinës, i cila akoma turbullirë të shtuar, andaj uji nuk rekomandohet për pije dhe para përdorimit duhet të vlohet. Të gjitha mostrat e analizuara janë brenda standardeve të parapara për ujin e pijshëm”, njoftoi MSH-ja.