Transmetuar më 23-01-2023, 15:00

Eliminimi i Brazilit në Botërorin 2022 nga Kroacia krijoi një "tërmet",shoqëruar me largimin e trajnerit Tite, i cili ka qenë në krye të Selecao në dy botërorët e fundit. Tani lind një pyetje shumë interesante: kush do të jetë trajneri i ardhshëm i pesë herë kampionëve të botës?

Vetëkuptohet se Brazili është një stol prestigjioz dhe se janë përmendur shumë emra, mes të cilëve edhe ata shumë të rëndësishëm si Pep Guardiola, Josè Mourinho dhe Luis Enrique. Sidoqoftë, nga trajneri i fundit kampion bote me Brazilin, Felipao Scolari, kundërshtohet njëri nga kandidatët.

Scolari mori në vlerësim opsionin e Luis Enrique dhe tregoi se nuk e vlerësonte shumë: "Çfarë ka fituar ai? Në futboll duhet të keni rezultate. Ai është shumë i mirë, por humbi gjithçka që mund të humbiste. Dhe çfarë do të thotë të jesh i mirë? Mourinho ka fituar gjithçka".

Epo, në fakt ndoshta Scolari i referohet skenës vetëm si trajner i Spanjës, sepse është krejt e gabuar të thuhet se "Lucho", i cili fitoi tripletën në krye të Barçës më 2015, nuk fitoi asgjë.

Sidoqoftë, edhe në këtë pikë nuk ia vlen krahasimi me "Special One", i cili e ka mbushur "palmaresin" me kupa dhe kampionate, por nuk e ka provuar ende veten në krye të një kombëtareje…