
Futbolli spanjoll dhe ai botëror vazhdon të dominohet nga lajmet se Dani Alves u arrestua nga policia katalanase të premten dhe tashmë ndodhet në burg. Futbollisti brazilian është duke u hetuar nën dyshimin për sulm seksual.
Gruaja e tij Joana Sanz ka qenë e fortë në mbështetjen për Alves në rrjetet sociale, ndërsa trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, përfundoi në syrin e ciklonit me komentet për këtë çështje.
Tani ish-bashkëshortja e tij, Dana Dinorah, ka folur për kanalin televiziv spanjoll “Telecinco”, duke e mbrojtur Dani Alves. Gazeta “Marca” raporton deklaratat e saj: “Nuk kam pasur akses tek ai. E di që është i trishtuar, por është mirë dhe do të bëj gjithçka për ta ndihmuar.
Është një tronditje edhe për fëmijët e mi që janë adoleshentë dhe po kalojnë një kohë shumë të keqe. Familjarët e tij janë të mbingarkuar, sepse duan ta shohin, por nuk munden. Avokati i tij më thotë se po punon për çështjen”.
Për Dinora është e paimagjinueshme që Alves të jetë përgjegjës për një akt të tillë: “Dani kurrë, kurrë, kurrë nuk do ta bënte këtë, kurrë. Po ju them sepse e njoh prej 22 vitesh dhe kisha dhjetë vite e martuar me të. Duket sikur është një makth, nuk po ndodh me të vërtetë”.
Edhe njëri prej vëllezërve të futbollistit brazilian të arrestuar, Junior, ka thënë fjalën e tij për këtë çështje: “Nuk duroj më, po mashtrojnë për të, po e kalojnë kufirin. Na e kanë ndaluar ta takojmë, ta vizitojmë në burg.
Dani ka mbështetjen e të gjithë familjes, do të japim jetën nëse duhet që ai të dalë nga ky ferr”. Të gjithë, përfshirë partneren e tij aktuale, modelen dhe biznesmenen Joan Sanz, e kanë mbështetur lojtarin që nga arrestimi i tij për përdhunim të dyshuar.
39-vjeçarit tashmë i është ndërprerë kontrata me skuadrën meksikane Pumas, me klubin që deklaroi se nuk donin të lidheshin me akte të tilla. Përveç kësaj, Alves thuhet se ka kërkuar të ndryshojë dëshminë e tij në shumë raste, pasi dalin një sërë detajesh të tmerrshme.
Natyrisht, çështja është ende nën hetim dhe është e pamundur të thuhet nëse Alves është i pafajshëm apo jo. Megjithatë, e qartë është se personat më të afërt me të janë kapur krejtësisht në befasi nga akuzat.