Transmetuar më 23-01-2023, 11:02

Erik Ten Hag foli për mikrofonat e "Sky Sports" pak orë para ndeshjes së madhe të Premier League mes Manchester United dhe Arsenalit. Trajneri holandez nuk ka kursyer një kritikë edhe ndaj Cristiano Ronaldos.

Ten Hag e prezantoi ndeshjen kështu, duke folur për Martin Odegaard dhe Bruno Fernandes, dy nga protagonistët e të gjithë kampionatit:

"Ata janë në formë dhe po përmirësohen. Janë dy lojtarë të shkëlqyer, që vënë cilësitë e tyre në shërbim të skuadrës. Ata punojnë shumë dhe përpiqen të bëjnë më të mirën për t’u përmirësuar”.

Ish-trajneri i Ajax shtoi më pas një frazë që sulmon Cristiano Ronaldon, megjithëse indirekt: "Ka vetëm një Messi dhe ne e pamë atë në Kupën e Botës. Lojtarët e tjerë duhet të punojnë dhe të jenë pjesë e ekipit".

E sulmoi edhe Cantona – Largimi i diskutueshëm i Cristiano Ronaldos nga Manchester United është ende temë diskutimi. Portugezi tashmë ka nisur një karrierë të re tek Al Nassr të Arabisë Saudite, por në Angli vazhdojnë të flasin për të. Zëri i fundit që kritikoi sulmuesin portugez ka qenë Eric Cantona.

Ish-futbollisti është një zë autoritar brenda ambientit të "Djajve të Kuq" dhe konsideron se CR7 nuk po e menaxhon mirë pjesën e fundit të karrierës së tij. "Ka dy lloje veteranësh: ai që dëshiron të luajë çdo ndeshje, sepse ende mendon se është 25 vjeç; dhe ai që e kupton se nuk është 25 vjeç, por është aty për të ndihmuar lojtarët e rinj, e di se nuk do të luajë çdo ndeshje".

Cantona krahasoi qëndrimin e Cristianos me atë të veteranëve të tjerë të shquar të futbollit evropian: "Ka lojtarë që ndihmojnë të rinjtë. Ibrahimovic ende e bën këtë me Milanin, Ryan Giggs, ose vetë Maldini kur ishte te Milani. Cristiano Ronaldo nuk e kupton se nuk është më 25 vjeç.

Ai është tashmë më i vjetër, por nuk është i vetëdijshëm për këtë. Në vend që të mos jetë i lumtur që nuk luan të gjitha ndeshjet, duhet të pranojë situatën: Mirë, nuk jam 25 vjeç, nuk mund të luaj gjithmonë, por do t’i ndihmoj të rinjtë dhe do ta pranoj situatën time".

Së fundi, Cantona reflektoi se çfarë do të thotë të supozosh se karriera jote si futbollist profesionist ka përfunduar: "Unë nuk mund të vrapoj aq shpejt sa kur isha 30 vjeç, duhet ta pranoj. Ashtu siç do të vdes një ditë.

Është e vështirë, por duhet ta pranojmë. Fundi i një karriere si futbollist është si të vdesësh, por duhet të filloni diçka tjetër. Dhe para se të vdisni, duhet të pranoni se po plakeni. Nuk mund të bëni gjërat që bënit dikur".