Transmetuar më 23-01-2023, 10:12

Futbollistët e kombëtares shqiptare kanë treguar të tjera paraqitje pozitive në fundjavë, teksa nuk kanë munguar as golat e realizuar nga legjionarët kuqezinj. Kështu njofton faqja zyrtare e FSHF-së.

Kështu, sulmuesi kuqezi Sokol Cikalleshi ka gjetur sërish rrugën e rrjetës me Al Khaleej në kampionatin arab. Kavajasi duket se po kalon një formë mjaft të mirë, teksa ka realizuar për skuadrën e tij edhe para pak ditësh.

Mesfushori kuqezi, Odise Roshi ka dhuruar spektakël në Turqi, duke asistuar dy herë shokët e skuadrës dhe qenë faktor i rezultatit pozitiv për skuadrën e tij. Sakaq, ai është vlerësuar nga uebsajti i specializuar për statistika, ‘SofaScore’ si futbollisti më i mirë në radhët e Sakariaspor-it.

Ndërkohë, si lojtarët më të mirë në ekipet e tyre për këtë fundjavë janë vlerësuar edhe Enis Çokaj te Panathinaikos dhe Elhan Kastrati në radhët e Cittadella-s.

Gjatë fundjavës që shkoi, të tjerë futbollistë të kombëtares shqiptare si Berat Djimsiti, Enea Mihaj, Amir Abrashi, Frederic Veseli etj., janë aktivizuar me skuadrat e tyre në kampionatet europiane.