Transmetuar më 23-01-2023, 09:48

Ai barabitet me Kylian Mbappe. Të dy bashkë shihen si trashëgimtarët e denjë të Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos në futbollin botëror. Nëse këta dy të fundit po shkojnë drejt fundit të karrierës, “stafetën” duhet ta marrin francezi dhe norvegjezi, të cilët e kanë të ardhmen përpara.

Sidomos Haaland është shumë i ri, por ka nisur të vendosë rekorde historike si golashënues. Pasi u konfirmua plotësisht te Borussia Dortmund, ishte normale të transferohej në një klub me ambicie madhore.

Dhe kështu, verën e kaluar preferoi të bashkohej me “qytetarët” e Pep Guardiolës. Është trajneri spanjoll, ai që bën “skanerin” e sulmuesit të frikshëm norvegjez, i cili dje realizoi “hat-trick” e tij 54-minutësh në fitoren 3-0 kundër Wolverhampton.

Sulmuesi 22-vjeçar ka shënuar 25 gola në 19 ndeshje të Premier League dhe ka mposhtur tashmë 12 "Këpucët e Arta" të kësaj lige, përfshirë katër të fundit.

Trajneri spanjoll zbuloi disa nga çelësat e suksesit të Haaland te Manchester City: "Numrat e Haaland janë të pabesueshëm. Ai jeton 24 orë për profesionin që bën, punën dhe pasionin e tij. Jeton 24 orë për atë që do.

Haaland nuk ndryshon nëse gjërat shkojnë mirë apo keq, ai është i qëndrueshëm në këtë kuptim. Edhe pse disfatat e lëndojnë dhe kjo është pozitive.

Ai nuk është lloji i lojtarit që do të luajë topin 10 metra jashtë zonës. Kjo nuk është aftësia e tij. Ai do që topat t’i arrijnë sa më afër të jetë e mundur për shkak të lojtarëve fantastikë që e rrethojnë.

Ne i dimë cilësitë e tij. Lojtarët tanë e njohim mirë njëri-tjetrin. Ai nuk është një lojtar që e lë veten të bjerë, nuk mund të luajmë ‘9 fals’ me të. Duhet t’i përshtasim disa lëvizje me të. Dhe po bëjmë mjaft mirë këtë.

Kur Haaland shënon shumë gola është zgjidhja për ne, kur nuk e bën këtë kthehet në problem. Kjo është gjëja e mrekullueshme e këtij lojtari, e kësaj loje".