Transmetuar më 22-01-2023, 20:26

Një histori disi e komplikuar vjen sot në rubrikën “Ka një mesazh për ty” nga”E diela shqiptare” në Tv Klan. Gjergji dhe Kristina janë prindër të një vajze të quajtur Jetmira dhe janë ndarë me njëri-tjetrin prej disa vitesh.

Sipas zonjës Kristina, shkak u bënë kushtet ku ata jetonin dhe ish-vjehrri. Ajo thotë se pavarësisht se nuk e ka parë kurrë më pas ndarjes Gjergjin, nuk e ka penguar asnjëherë vajzën e saj të mbajë kontaktet me të atin, i cili jeton aktualisht në azil. Sot, Gjergji ka ardhur në studio për të kërkuar vajzën që ai ka me gruan e dytë, pa e ditur se Jetmira do të jetë aty. Surpriza do të jetë e dyfishtë, si për Gjergjin ashtu dhe Jetmirën e cila nuk e ka takuar kurrë motrën e saj nga babai.

Kristina: Para ca viteve isha e martuar me Gjergjin, linda një vajzë Jetmirën në ’85-ën. U ndava se ashtu ishin rrethanat se ishim në një fshat ku nuk mund të jetoja me të. Mora çupën dhe u largova. Prej asaj dite unë nuk e takova më Gjergjin por vajza vijonte ta kërkonte babanë dhe unë nuk e ndalova asnjë ditë, derisa e gjeti një ditë babanë.

Ardit Gjebrea: Sot në studio do vijë Gjergji, ish-bashkëshorti yt, ti komunikon me të?

Kristina: Nëpërmjet telefonit te azili, po edhe e kam takuar me çupën.

Ardit Gjebrea: Një marrëdhënie e jashtëzakonshme kjo sepse është shumë e rëndësishme. Shqiptarët kur ndahen, në pjesën më të madhe, ruajnë inate e nuk takohen.

Kristina: Po ato kushte në ato kohë ashtu ishin… Familja nuk ishte shumë e rregullt, babai i tij na sulmonte shumë dhe u detyruam të ndaheshim.

Ardit Gjebrea: Ti nga qyteti ike në fshat. Gjatë publicitetit Kristina më tregoi që nuk e njihte Gjergjin, ia dha familja, e takoi për herë të parë. Dysheku i parë ishte prej kashte dhe nga ajo vajza që ëndërronte princin e kaltër përfundon me dikë që nuk e njeh dhe në fund të ditës nuk iu bë princ. Por u bë babai i një vajze me emrin Jetmira. Ti sot ke ardhur me Jetmirën?

Kristina: Po me Jetmirën.

Ardit Gjebrea: Gjergji nuk e di që ju jeni të dyja këtu. Sepse Gjergji nuk ka ardhur për ju, ai ka ardhur të kërkojë vajzën me gruan e dytë. Dhe që Jetmira nuk e ka takuar motrën asnjëherë. Pra imagjinoni çfarë surprize e dyfishtë do të jetë, edhe për Gjergjin edhe për vajzën tënde Jetmira.

Jetmira ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” për të takuar babain e saj, Gjergjin. Në këtë rubrikë të “E diela shqiptare” në Tv Klan, ajo shoqërohet edhe nga nëna e saj, Kristina dhe vëllai, të cilët janë të pranishëm në studio, në një pozicion nga ku Gjergji nuk mund t’i dallojë.

Martesa mes Gjergjit dhe Kristinës ka përfunduar vite më parë dhe fryt i saj është Jetmira. Më pas, ai u martua me një grua tjetër dhe lindi një vajzë nga ky kurorëzim. Gjergji nuk ka kontakte me vajzën e tij të dytë dhe ka ardhur ta kërkojë, ndërsa nga ana tjetër e ekranit e pret Jetmira.

Kjo e fundit, bën të ditura disa detaje të historisë nga takimi i parë me të atin. Ajo është në dijeni se ka një motër tjetër dhe se ajo është arsyeja pse Gjergji ka ardhur në studio.

Ardit Gjebrea: Kur e ke zbuluar që ke një motër tjetër?

Jetmira: Në momentin që jam njohur me babin, që në momentin e parë më ka treguar të vërtetën që ka qenë i martuar, kam një vajzë më tha që është, në atë kohë kur unë e kam takuar tim atë, ime motër mund të ketë qenë 21-22 vjeçe sepse për momentin 25-26 vjeçe.

Ardit Gjebrea: Sot është 25-26 vjeçe?

Jetmira: Po. Dhe që më ka treguar që është edhe me epilepsi dhe është nën kujdesin e të ëmës. I kam thënë që hajde shkojmë të dy ta takojmë, ka pasur pjesën e frikës që të vinte dhe…

Ardit Gjebrea: Ndërkohë babi jeton në azil?

Jetmira: Po.

Ardit Gjebrea: Në Shkodër?

Jetmira: Po.

Ardit Gjebrea: Për çfarë kishte frikë?

Jetmira: Sepse mesa më ka treguar im atë, djali që zonja ka, ka vënë dorë mbi të dhe ai ka pasur frikë që të shkojë dhe ta takojë drejtpërdrejt.

“Vdes me merak ta shoh njëherë”, me lot në sy babai kërkon bijën që nuk e ka parë prej 20 vjetësh

Gjergji, babai i Jetmirës ka ardhur në rubrikën e “Ka Një Mesazh Për Ty” të “E diela shqiptare” në Tv Klan për të kërkuar vajzën nga martesa e dytë me të cilën ka humbur kontaktet. Prej vitesh, ai qëndron në një azil në Shkodër me një dëshirë shumë të fortë që veç Jetmirës, vajzës që ka nga martesa e parë dhe ka mundur ta njohë, të takojë Lilianën, vajzën nga martesa e dytë. Për më shumë se 20 vjet, ai nuk e ka takuar dot Lilianën.

Gjergji: Jam me shumë vuajtje tash e disa vjet, rri në azil pleqsh në Shkodër, dal para këtij populli se kam 20 e ca vjet që nuk shoh një fëmijë. Brenda Shqipërisë është, e ka privatizuar e ëma. Është e sëmurë me epilepsi, kam vuajtur shumë në spitale me të.

Ardit Gjebrea: Më trego pak, kjo vajzë është e vetmja që ti ke?

Gjergji: Jo, kjo është e dyta. Edhe me të parën kështu kam vuajtur. 11 Prill ’85 datëlindja, më 12 Qershor e ka marrë e ëma, Kristina. Nga kushtet e vështira, ajo ishte shumë e re, nuk kishte mundësi për të jetuar në Orosh të Mirditës.

Gjergji tregon se ai ishte 37 vjeç kur e ka njohur Kristinën, ndërsa ajo 17 dhe shkas janë bërë prindërit e tyre. Ai konfirmon tregimin e Kristinës se jetesa me prindërit e tij ishte shumë e vështirë për një vajzë të re ndaj dhe ajo mori Jetmirën e u largua. Ai u rimartua me një grua tjetër dhe në jetë erdhi Liliana, vajza tjetër që është arsyeja pse ai ka ardhur.

Ardit Gjebrea: Si e ka emrin vajza?

Gjergji: Liliana.

Ardit Gjebrea: Si e ka emrin vajza e parë?

Gjergji: Jetmira.

Ardit Gjebrea: Ti ke Jetmirën dhe Lilianën.

Gjergji: Po.

Ardit Gjebrea: Këto dy vajza ke?

Gjergji: Këto dy vajza kam.

Ardit Gjebrea: Jetmirën e ke takuar, Lilianën nuk e ke takuar. E ke kërkuar?

Gjergji: Për ta kërkuar, e kam kërkuar boll. Por ma ka mbyllur derën njëherë e mirë dhe nuk e gjej më. Vdes me merak që ta shoh atë fëmijë njëherë, nuk ia prish jetesën në botë, nuk dua asgjë prej gjëje, veç ta shoh, të kem një fotografi, kur të jem te azili ta shoh. Nuk i prish qetësinë askujt në botë.

Ardit Gjebrea: Ti vetëm do që ta takosh njëherë në jetë?

Gjergji: Unë dua vetëm që ta takoj njëherë në jetë.

/tvklan.al