Transmetuar më 21-01-2023, 14:42

Antonio Conte reflekton për të ardhmen e tij. Koha kalon dhe trajneri i Tottenham ndjen peshën e viteve e kohës që kalon në mënyrë të pashmangshme. Kështu, në një intervistë për “The Guardian” ai rrëfen se ka kaluar një periudhë të vështirë, të përbërë nga reflektime për të ardhmen e tij:

"Sigurisht, ky sezon është i vështirë nga pikëpamja personale. Të humbas në një kohë kaq të shkurtër tre persona që i njihja shumë mirë (Gian Piero Ventrone, Sinisa Mihajlovic dhe Gianluca Vialli) nuk ishte e lehtë. Kur ndodh kjo situatë të çon të kesh disa reflektime të rëndësishme".

Mendime që kanë të bëjnë edhe me të ardhmen e tij larg shtëpisë dhe nga të dashurit. "Shumë herë mendojmë dhe i kushtojmë shumë rëndësi punës sonë dhe harrojmë familjen. Harrojmë se duhet të kemi më shumë kohë për veten tonë.

Ky sezon po më bën të kem një reflektim të rëndësishëm për të ardhmen time”, – shpjegoi trajneri i Tottenhamit, duke pranuar se ndihet shumë i largët nga gruaja e tij Elisabetta dhe vajza 15-vjeçare Vittoria, që të dyja kanë mbetur në Itali.

"Kur punoni dhe puna është kryefjalë e mendjes suaj, ndoshta harrojmë të jemi me familjen dhe miqtë. Ky është pasioni ynë dhe për pasionin kemi humbur shumë gjëra. Por kur të ndodhë kjo situatë, ju filloni të mendoni se ndoshta është mirë t’i kushtoni më shumë kohë familjes dhe miqve tuaj, por edhe vetes. Puna nuk është gjithçka në jetë, – vazhdoi Conte.

– Patjetër, ta kem familjen time në Itali dhe unë këtu nuk është mirë. Por, kur ke një djalë apo një vajzë, pra fëmijën në shkollë, atëherë duhet t’i respektosh ata, sepse nuk mund ta ndryshosh mjedisin e tyre çdo vit. Unë nuk dua të ndikoj në jetën e familjes sime”.