Transmetuar më 21-01-2023, 13:03

Pas dënimit me heqjen e 15 pikëve nag klasifikimi aktual në Serie A dhe stuhisë që goditi Juventusin, Max Allegri doli në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes së nesërme ndaj Atalantës. Ai u mundua të fokusohej te fusha e blertë, duke qenë i sigurt se klubi do ta vijojë betejën ligjore. Mes të tjerash, trajneri bardhezi u shpreh:

“Nesër është një ndeshje e rëndësishme dhe e veçantë, të gjithë duhet të rigrupohemi edhe më shumë, duke menduar vetëm për fushën. Minus 15 pikë? Absolutisht asgjë nuk ndryshon, duhet të marrim pikët në fushë. Këto procedura ligjore kanë të bëjnë me klubin. Renditja është një fakt për momentin, kemi 22 pikë dhe duhet të përpiqemi të fitojmë për të arritur në 25 pikë.

Duhet të bëjmë detyrën, dënimi përfundimtar do të vijë pas dy muajsh. Dhe nuk duhet të pendohemi pas dy muajsh, sepse nuk bëmë atë që duhej të bënim. Nuk jam në gjendje të analizoj seriozitetin e dënimit të djeshëm. E vetmja gjë e sigurt është se duhet të pranojmë dënimin. Duhet të heshtim, të mbajmë profil shumë të ulët dhe ta marrim këtë sfidë duke nisur nga 22 pikë.

Unë fola me Scanavino për atë që ndodhi dje. Sot në orën 14:30, drejtori së bashku me presidentin Ferrero do të flasin me ekipin. Të gjitha situatat duhet të shndërrohen në një mundësi. Kjo është mundësia për të përfituar sa më shumë nga një sezon, pastaj do të shohim se si do të shkojë.

Ekipi e di shumë mirë se çfarë duhet bërë, asgjë nuk ka ndryshuar për ne. Absolutisht. Ne duhet të kemi një forcë të brendshme dhe të rritemi në renditje. Ne kemi ‘Europa League’, kemi Kupën e Italisë, kemi edhe 60 pikë në kampionat për t’i fituar.

E ardhmja ime? Unë jam trajneri i Juventusit dhe do të mbetem trajner i Juventusit, nëse nuk më shkarkojnë. Në kohë vështirësish, burrat duhet të jenë të mirë në marrjen e përgjegjësive. Kur gjërat shkojnë mirë, ne jemi të gjithë burra të mirë.

Personalisht më vjen keq për Agnellin dhe të tjerët. Përveç aspektit profesional, më vjen shumë keq në planin personal për skualifikimin e Andrea Agnellit, Cherubini, Arrivabene, Nedved dhe Garimberti.

Situata aktuale e Juventusit mund të jetë një mundësi. Jam i bindur se djemtë do të bëjnë gjithçka për të marrë më të mirën. Jemi përpara një sfide dhe ndoshta do të arrijmë të bëjmë diçka të jashtëzakonshme. Në futboll gjithçka është e mundur.

Duhet të punojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Javën tjetër do të kemi Pogba dhe Vlahovic në dispozicionin tonë. Cuadrado do të kthehet nesër. Duhet të vazhdojmë të punojmë për të mos u penduar. Ne zakonisht dalim të përforcuar nga këto situata, duhet të fitojmë ndeshje në fushë. Le të përpiqemi të arrijmë në vendin e shtatë tani dhe pastaj do të shohim".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd